Banka Botërore: Çmimet e naftës do të ulen gjatë 2019-2020
Banka Botërore rishikoi me ulje çmimet globale të naftës për vitin 2019 dhe 2020 respektivisht me -3.4 dhe -1.5 për qind në raportin periodik për pritshmërinë e çmimeve të mallrave kryesore i publikuar këto ditë.
Çmimet e naftës pritet të jenë mesatarisht 66 dollarë për fuçi në 2019 dhe 65 dollarë në 2020 këto vlera janë 8 dhe 4 dollarë respektivisht më të ulëta se parashikimet e vjeshtës që Banka Botërore publikoi gjatë tetorit 2018.
Rishikimet me rënie pasqyrojnë gjetjet për rritje më të dobët për ekonominë globale këtë vit.
Parashikimi supozon se shkurtimi i prodhimit nga “OPEC” dhe partnerët e tjerë prodhues do të amortizohet nga kërkesa më e ulët globale sidomos India, Kina, Shtetet e Bashkuara, dhe nga politikat mjedisore që do të frenojnë konsumin.
Prodhimi global i naftës ra ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2019, pas një rritje të madhe në gjysmën e dytë të vitit 2018. OPEC dhe partnerët e saj duke ulur ndjeshëm prodhimin, ndërkohë që prodhimi ra ndjeshëm në Iran dhe Venezuelë. Prodhimi i naftës në SHBA u rrit me ritmin më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë në vitin 2018, duke kontribuar në një rritje të theksuar të eksporteve.
Ndërsa, rritja globale në vitin 2019 pritet të jetë më e dobët se sa parashikimi paraprak, megjithëse dobësia do të jetë e përkohshme. Pas vitit 2020, rritja e konsumit të naftës nga OECD do të jetë e papërfillshme sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).
Efikasiteti i politikave mjedisore do të ulë konsumin e naftës veçanërisht në sektorin e transportit, teksa rritja e konsumit nga vendet jo-OECD pritet mesatarisht rreth 2 për qind në vit për pesë vitet e ardhshme.
Prodhimi global i naftës ra në tremujorin e parë të vitit 2019, pas një rritje në tremujorin paraardhës.
Ndërsa OPEC dhe partnerët e tij pritet të vendosin nëse do të zgjasin afatet për të mbajtur të frenuar prodhimin në takimin e qershorit. Por kufizimet e lëvizjes së automjeteve në qytet e mëdha po amortizojnë efektet që sjell ulja e prodhimit, shkruan “monitor.al”.
Në ndryshim nga nafta çmimet e metaleve pritet të rriten më 2019 dhe 2020 pas një rënie të mprehtë në gjysmën e dytë të vitit 2018.
Çmimet e produkteve bujqësore pritet të bien për 2.6 për qind në vitin 2019, për shkak stoqeve të larta. Në vitin 2020, çmimet pritet të rriten me 1.7 për qind si pasojë e pakësimit të mbjelljeve në SHBA dhe kostot më të larta të energjisë dhe plehrave.