Banka Botërore, e gatshme t’i përgjigjet kërkesave të Kosovës
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur të enjten në takim zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, në veçanti në fushën e financave dhe portofolion e Kosovës me Bankën Botërore.
Hamza ka falënderuar Mullerin për ndihmën dhe kontributin e tij si dhe është shprehur i bindur se bashkëpunimi me Bankën Botërore do të vazhdojë edhe më tutje.
Ministri Hamza e ka njoftuar Mullerin për zhvillimet pozitive në Kosovë, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë dhe financave, për trendin e të hyrave, deficitin, borxhin publik, për përgatitjen e buxhetit për vitin 2019, si dhe për investimet e Qeverisë në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe në çështjet sociale.
Më tutje, ai ka diskutuar me zyrtarin e Bankës Botërore për performancën e marrëveshjeve të deritanishme të Kosovës që ka me këtë bankë, të cilat kanë ndikuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore,Cyril Muller, ka përgëzuar ministrin Hamza për angazhimin e tij të vazhdueshëm që përmes ndryshimit të politikave fiskale të krijojë kushte sa më të mira në të bërit biznes në Kosovë si dhe për rritjen angazhimit në implementimin në kohë të marrëveshjeve ndërmjet dy institucioneve.
Ai gjithashtu ka thënë se Banka Botërore është e gatshme t’i përgjigjet kërkesave të Kosovës për mbështetje të mëtutjeshme në fushat e identifikuara me theks të veçantë, në zhvillimin e kapitalit njerëzorë në Kosovë.
/Epoka e re/