Banka Botërore: Kosova vendi më i varfër në rajon e Evropë

05 janar 2025 | 14:08

Kosova vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta për kokë banori, krahasuar me mesataren e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Sipas Bankës Botërore (BB) shkalla e varfërisë në Kosovë mbetet e lartë, 19.2 për qind.

Sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar, vendi mbetet prapa fqinjëve të saj me Bruto Produktin Vendor për kokë banori që arrin vetëm 5.889 euro.

Ndërsa, Luksemburgu (137,839 euro), Irlanda, Holanda, Danimarka dhe Austria janë pesë vendet e BE-së me të ardhurat më të larta për frymë.

Zëvendësmenaxherja e Bankës Botërore për Kosovë, Jane Sprouster në një intervistë për “Kosovapress”, ka thënë se për të arritur progres të qëndrueshëm në zvogëlimin e varfërisë, Kosova duhet të kalojë në një model të rritjes ekonomike konkurruese që krijon më shumë vende pune me cilësi më të lartë, sidomos për popullatën e re. Sipas saj përmes këtyre masave, Kosova ka potencialin të kapërcejë hendekun e të ardhurave me vendet e BE-së dhe të krijojë një të ardhme më të ndritur për popullatën e saj.

Sprouster ka folur edhe për parashikimet Bankës Botërore lidhur me rritjen ekonomike të Kosovës gjatë vitit 2025. Përveç kësaj, ajo ka treguar për projektet dhe shumën financiare në kredi dhe grante që pritet të ndahen për Kosovën, për vitin 2025.

Sprouster është shprehur se rritja ekonomike parashikohet të jetë në 3.8 për qind për vitin 2024 dhe deri 4 për qind në periudhën afatmesme.

Sipas saj, me rritjen ekonomike që pritet të përshpejtohet, Banka Botërore parashikon që varfëria do të ulet, nga 19.2 për qind në 2024 në 17.1 për qind në 2025.

Në vitin që lamë pas, Banka Botërore ka mbështetur projekte milionëshe në vendin tonë për forcimin e qeverisjes digjitale, investime në edukimin dhe kujdesin e hershëm të fëmijëve dhe forcimin e sektorit shëndetësor.

Sprouster ka theksuar se Banka Botërore pritet që në vitin 2025 ta mbështesë Kosovën me rreth 100 milionë dollarë kredi dhe grante për projekte zhvillimore të sektorit financiar dhe për lehtësimin e tregtisë dhe transportit.

Po ashtu sipas Bankës Botërore, Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të papunësisë në rajon. Sipas raportit të fundit vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

Sipas BB-së, Kosova ballafaqohet me nevojën për të ndërmarrë reforma, duke përfshirë zbatimin e një strategjie të re energjetike dhe përmirësimin e sigurisë së ujit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asnjë nga 24 gjyqtarët serbë që kanë dhënë dorëheqje në…