Banka Botërore me mision identifikues të projekteve investive në ujësjellësin e Prishtinës
Përfaqësues të Bankës Botërore të enjten kanë vizituar Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sha.
Në takim morën pjesë Susanna Smets, specialiste për ujë dhe ujëra të zeza nga Banka Botërore, Bekim Imeri specialist për zhvillim social, po ashtu nga Banka Botërore, si dhe kryeshefi ekzekutiv Ilir Abdullahu me stafin e tij përcjellës.
Qëllimi i këtij takimi me përfaqësues të Bankës Botërore si partnerë shumë të rëndësishëm strategjik për sektorin e ujit, ishte diskutimi i projektit të Bankës Botërore për identifikimin e investimeve potenciale afatgjate në KRU “Prishtina”.
Përfaqësues të Ujësjellësit të Prishtinës ka shpalosur projektpropozimet në fushat më të nevojshme për investime siç janë, zvogëlimi i humbjeve teknike dhe komerciale (ka dorëzuar kërkesën për studim fizibiliteti për menaxhimin e presionit), ruajtja dhe menaxhimi i resurseve ujore si dhe kursimi i shpenzimeve të energjisë elektrike përmes investimeve në ndërtimin e paneleve solare që do të ulte shpenzimet operative si rezultat i kostos së lartë të energjisë elektrike.
Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka paraqitur para Bankës Botërore studimin e fizibilitetit me arsyeshmëritë e ngritjes së Impianteve Energjetike Fotovoltaike në tri zona të shërbimit (Shkabaj, Albanik, Selia Qendrore) planet konkrete zhvillimore në reduktimin e humbjeve të ujit të pafaturuar, si dhe ka diskutuar rreth furnizimit me ujë të zonave rurale, me theks të veçantë rreth nevojave për ujë të pijshëm dhe ujitje në zonat me resurse ujore të pakta.
Një studim fizibiliteti ishte hartuar vitin e kaluar nga Komuna e Drenasit për ndërtimin e akumulacionit si dhe nevojat për investime të Impianteve të trajtimit të ujërave të zeza për mbrojtjen e lumit Drenica dhe ujërave nëntokësore në ato zona.
Ndër të tjera, kryeshefi Abdullahu ka falënderuar Bankën Botërore si partner strategjik për misionin e tyre në identifikimin dhe përkrahjen e projekteve investive dhe afatgjate për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës.
Ndërkaq përfaqësuesit e Bankës Botërore u zotuan se projektpropozimet do t’i diskutojnë në komitetet e tyre teknike.
/Epoka e re/