Banka Botërore ndan 20 milionë euro për projektin e Ekonomisë Digjitale në Kosovë
Të premten në Prishtinë është nënshkruar marrëveshja për financimin e projektit “Ekonomia Digjitale në Kosovë” në vlerë prej 20.7 milionë euro ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore, me një normë të interesit vjetor 1.25 për qind, grejs periudhë pesë vite dhe afat të shlyerjes 25 vite.
Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli.
Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Hamza ka bërë me dije se qëllimi i projektit është që të zhvillojë infrastrukturën ndërlidhëse brezgjerë në viset e pambuluara, forcimin e kapitalit njerëzor dhe mbështetjen e bizneseve për të futur Kosovën në ekonominë digjitale të së ardhmes.
Kurse menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, ka thënë se ndihet krenar që kanë arritur këtë marrëveshje me Kosovën dhe që të mirat e kësaj marrëveshje t’i përfitojë populli i Kosovës.
Ai ka thënë se projekti do të ketë spektër të gjerë përfitimesh për popullin e Kosovës, duke e lidhur atë me informacione, shërbime dhe vende të punës.
“Jam shumë krenar të jem partner me ju në përpjekjet për të përmbushur mangësinë e digjitalizimit. Dhe deri në vitin 2023 shumë fshatra të Kosovës do të lidhen në këtë rrejt që janë më shumë se 600 mijë persona. Këtë projekt e shohim si komponent infrastrukturor dhe ekonomik. Ne jemi duke punuar që dy vite për të pilotuar një projekt të tillë”, ka thënë ai.
I pyetur pse BB-ja ka vendosur që pikërisht Kosova të përfitojë nga ky projekt, ai ka thënë se kjo ka të bëjë me marrëveshje të partneritetit dhe për faktin se pala nga Kosova ishte bashkëpunuese për një projekt të tillë.
Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Luka, ka thënë se nga kjo marrëveshje përfitimet do të jenë si infrastrukturore ashtu edhe ekonomike.
/Epoka e re/ A. MAVRAJ