Banka Botërore: Në Kosovë ka progres, por jo mjaftueshëm
Gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor nga Zyra e Bankës Botërore në Kosovë, u konstatua se për vitin 2019 rritja ekonomike në Kosovë parashikohet të arrijë në 4 për qind, krahasuar me 3.8 për qind në vitin 2018, e shtytur nga konsumi, eksportet e shërbimeve dhe investimet.
Drejtor i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, ka thënë se deficiti i përgjithshëm buxhetor pritet të mbetet nën 3 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto dhe brenda kufirit të rregullës fiskale prej 2 për qind që përjashton shpenzimet kapitale të financuara nga të ardhurat e privatizimit dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Sipas tij, performanca pakëz e ulët e në të hyra, krahasuar me planin, do të mbikompensohet me nën-ekzekutim të konsiderueshëm të projekteve kapitale. Kurse, shpenzimet për mbrojtje sociale me shënjestrim të dobët mbeten të larta dhe vazhdojnë të kufizojnë hapësirën fiskale. “Në Kosovë, mesazhi është që ka progres, por jo mjaftueshëm kur e shohim faktin që 60 për qind e popullsisë së të rinjve në Kosovë (moshë pune) nuk janë aktivë në tregun e punës. Pra, nuk punojnë ose nuk kërkojnë vende të punës. Kështu që shumë më shumë duhet krijuar rritje ekonomike që gjeneron më shumë vende pune”, ka thënë Mantovanelli.
Ai tutje ka thënë se Banka Botërore nuk përkrah projekte energjetike me thëngjill, në këtë rast projektin “Kosova e Re”, edhe pse sipas tij, ka mungesë të energjisë elektrike në Kosovë.
Ai ka treguar se ky projekt është ende në lojë, por sipas tij, Banka Botërore përkrah projekte energjetike vetëm të ripërtritshme. “Projekti ‘Kosova e Re’ edhe më tutje është në lojë ose në vazhdim, edhe pse nuk e dimë çfarë do të jetë rezultati. Nëse dështon ky projekt, pasojat janë që Kosova do të duhet që të përzgjedhë skenarë alternative. Personalisht shoh skenarë që e thashë edhe më herët, për çka ne ofrojmë mbështetje për opsionet e ripërtritshme”, është shprehur ai.
Në fund, Mantovanelli përgëzoi Kosovën për zgjedhje transparente, por kërkoi që të formohet sa më parë qeveria e re.
Kurse, Asli Senkal, ekonomiste në Bankën Botërore për Kosovë, ka deklaruar se pjesëmarrja në fuqinë punëtore vazhdon të jetë e ulët, përkundër shkallës së lartë kronike të papunësisë. “Në tremujorin e dytë të 2019-së papunësia shënoi rënie me 4.1 pikë përqindje, nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, për shkak të punësimit më të lartë, por edhe të pjesëmarrjes më të ulët në fuqinë punëtore. Në tre mujorin dytë të 2019 shkalla e punësimit u ngrit ngase u krijuan më shumë vende pune në Kosovë, mirëpo shkalla e papunësisë edhe më tutje mbetet më e larta në rajon, përkundër zhvillimeve kohëve të fundit pozitive në tre mujorin e dytë 2019”, u shpreh Senkal.