Banka Botërore: Ngadalësohet rritja ekonomike e Shqipërisë
Banka Botërore publikoi sot në Tiranë Raportin Ekonomik Rajonal për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku theksohet se pasiguritë janë në rritje.
“Ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në 2.9 për qind për shkak të uljes së prodhimit të energjisë elektrike nga pakësimi i rreshjeve”, thuhet në raportin e Bankës Botërore, transmeton “VoA”.
Sipas studimit, Shqipëria është vendi i dytë në rajon me borxhin më të lartë publik, ndërsa deficiti pritet të shkojë në fund të vitit në 2.2 për qind. Reduktimi i borxhit publik u ndihmua nga mbajtja nën kontroll e shpenzimeve dhe detyrimeve të prapambetura. “Shqipëria duhet të zbatojë reforma që shmangin rreziqet që vijnë nga kontratat me PPP dhe Ndërmarrjet Shtetërore, dhe nga ngadalësia e reformave strukturore, për të patur rritje më të madhe ekonomike”, thekson raporti.
Studimi konstatoi se janë në rritje rreziqet e shpenzimet jashtë bilancit si ato nga partneritetet publik-private. “Shqipëria duhet të ruajë konsolidimin fiskal, të rritë efikasitetin e shpenzimeve publike dhe të zbatojë reforma strukturore, që forcojnë rritjen ekonomike”, rekomandoi raporti.
Raporti flet për një rritje të punësimit në bujqësi dhe në shërbime, si dhe për një “papunësi në një nivel të ri të ulët historik”, madje edhe për një rritje pagash në tregti, transport e turizëm, pas rritjes ekonomike të vitit të kaluar.
Inflacioni zbriti në 1.5 për qind për shkak të mbiçmimit të lekut, monedhës vendase, si dhe prej ndikimit të partnerëve të jashtëm tregtarë. Banka e Shqipërisë po përpiqet të ulë ndikimin e mbiçmimit të lekut në çmimet e brendshme.
Bankat përmirësuan portofolin e kredive, duke ristrukturuar kreditë me probleme të huamarrësve të mëdhenj.
Kreditë në lekë u rritën edhe për investime nga bizneset, por kreditimi i bizneseve mbetet ende i kufizuar, theksoi raporti, krahas me mundësitë e gjera që kanë bankat për një larmi formash kreditimi.