Banka Botërore parasheh rritje ekonomike për Kosovën prej 4.8 për qind
Zyra e Bankës Botërore në Kosovë ka mbajtur të mërkurën një konferencë për medie, në të cilën ka prezantuar raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor.
Në këtë raport thuhet se në vitin 2017 ka pasur rritje më të ngadaltë ekonomike rajonale, por që tregjet e punës janë përmirësuar në shumicën e vendeve, raporton Klan Kosova.
Në këtë raport janë dhënë disa mesazhe për Kosovën, ku theksohet edhe rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2018 dhe 2019.
Aty parashihet se në Kosovë do të ketë rritje ekonomike prej 4.8 për qind.
Rritja pritet të jetë më e madhe se në vitin 2016 që ka qenë 4.1 për qind dhe në vitin 2017 prej 4.4 për qind.
“Rrija e barrës fiskale me veteranët është e rrezikshme dhe nuk është jetëgjatë. Qeveria duhet ta mendojë mirë këtë vendim që të mos kalojë 0.7 për qind të Bruto Produktit Vendor. Rritja e rrogave në Qeveri po ashtu mund të ndodhte, por jo 100 për qind pasi kjo paraqet rrezik”, ka thënë Agim Demukaj.