Banka Botërore përkrah reformat në ATK
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka pritur në takim një mision nga Banka Botërore, i cili ka për qëllim diskutimin e mundësive për asistencë teknike për të përkrahur reformat në administratën tatimore.
Gjatë këtij takimi drejtori Murtezaj, i ka informuar përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me zhvillimet e fundit në ATK, dhe për planet e tij në arritjen e objektivave të planifikuara.
Gjithashtu, drejtori i ka njoftuar lidhur me nevojat për asistencë në fusha të caktuara, me qëllim të përmirësimit dhe modernizimit të proceseve të punës.
Me theks të veçantë u diskutua menaxhimi më i mirë i resurseve në dispozicion dhe hartimi i një strukture organizative efikase, e cila do të jetë në funksion të misionit të ATK-së.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit nga misioni i Bankës Botërore ofruan përkrahjen e plotë për ATK-në, duke theksuar se kjo përkrahje do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Misioni i titulluar “Mbështetja e zbatimit të projektit të reformës në administratën tatimore” do të zgjatë nga 11 mars deri me 15 mars.
/Epoka e re/