Banka Botërore premton 12 miliardë dollarë ndihmë urgjente për të luftuar koronavirusin
Banka Botërore ka planifikuar 12 miliardë dollarë ndihmë, për vendet në zhvillim, të cilat po luftojnë me përhapjen e koronavirusit të ri.
Paketa e urgjencës përfshin kredi me kosto të ulët, grante dhe asistencë teknike.
Vendimi i Bankës Botërore vjen derisa liderët në mbarë botën, po zotohen të mbrojnë vendet e tyre nga ndikimi ekonomik i shpërthimit të virusit.
Ndarja e mjeteve financiare ka për qëllim të ndihmojë vendet që të përmirësojnë reagimin e tyre në shëndetin publik, si dhe të punojnë me sektorin privat për të zvogëluar ndikimin ekonomik.
“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të kufizojmë transmetimin e sëmundjes”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass për BBC, transmeton REL.
Organizata tha se do t’i jepte përparësi vendeve më të varfra dhe më të rrezikuara në shpërndarjen e ndihmës për të luftuar efektet e virusit, i cili është përhapur në më shumë se 70 vende të botës.