Banka Botërore: Rritja ekonomike pritet të jetë 4.5 për qind
Zyrtarët e Bankës Botërore në Kosovë kanë prezantuar të martën raportin e rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, drejtori i Bankës Botërore në Prishtinë, Marco Mantovanelli, ka thënë se sa u përket shteteve të rajonit, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, ka lajme pozitive.
Mantovanelli ka thënë se Kosova është ndër vendet me rritjen më të madhe ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor me 4.2 për qind. Sipas tij, në vitin 2019 kjo rritje pritet të jetë 4.5 për qind. “Sa i përket Kosovës, ne kemi vlerësuar një rritje për vitin 2018 me 4.2 për qind. Është një prej rritjeve më të mëdha. Kjo është e shtyrë nga investimet private dhe publike. Pastaj eksportimi i shërbimeve që kanë të bëjnë kryesisht me diasporën. Kemi vlerësuar se kjo rritje do jetë e qëndrueshme, por kjo rritje duhet të materializohet edhe me vende të punës. Ka një zvogëlim në punëdhënie. Shqetësimi është se nuk ka vende pune. Ka të rinj që dalin nga arsimi dhe dëshirojnë t’i bashkohen tregut të punës. Nga ana e rrezikut po shohim shpenzimet publike që po shkojnë kah pagat dhe pastaj përfitimet e disa kategorive si ata të luftës dhe të tjerëve”, ka thënë Mantovanelli.
Ai ka pohuar se pret rezultate pozitive edhe për tri vitet e ardhshme sa i përket zhvillimit ekonomik. “Projeksionet për tri vitet e ardhshme janë pozitive për Kosovën, megjithatë kemi rreziqe të jashtme duke marrë parasysh se çfarë po ndodhë me vendet evropiane. Tani është koha që të shtyjnë përpara krijimin e kapitalit njerëzor dhe konkurrueshmërinë dhe produktivitetin njerëzor. Kjo është me rëndësi për të krijuar hapësirë në buxhet”, ka deklaruar ai.
Mantovanelli ka kërkuar që të rritet efikasiteti i shpenzimeve në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Sa u përket shpenzimeve për skemat sociale, ai ka thënë se Kosova duhet të jetë më fleksibile në mënyrë që skemat të shkojnë aty ku është nevoja.
Ai ka folur edhe për projektin ‘Kosova e re’, ku tha se mundësia për të financuar projektet me bazë të thëngjillit është bërë i pamundur nga Banka Botërore.
Mantovanelli ka theksuar se Banka Botërore synon mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme.
Kurse, ekonomistja e Bankës Botërore, Asli Senkal, ka thënë se pavarësisht se rritja ekonomike në Kosovë është e fuqishme, ajo është edhe e cenueshme. “Konsumi është rritur gjithashtu dhe kjo është shtyrë nga pagat më të larta, remitencat dhe kreditë konsumuese më të larta. Eksportet neto janë tkurrur. Turizmi është rritur në anën tjetër. Po ashtu edhe eksportet e turizmit janë rritur. Këto janë rritur nga diaspora. Derisa rritja ka qenë e fuqishme në vitin 2018, kjo jo domosdoshmërish është kthyer në krijim të vendeve të punës. Numri i të punësuarve është zvogëluar në fabrika dhe bujqësi, ndërsa është rritur në sektorët me shumicë dhe pakicë”, ka thënë ajo.
Senkal ka pohuar se edhe shkalla e papunësisë në vitin 2018 është rritur për shkak të shkallës së joaktivitetit. “Kjo nënkupton se Kosova është popullatë e re dhe popullata e aftë për punë është në rritje. Tregu i punës është i vogël me 14.8 për qind, që është tregu më i ultë në rajon”, ka thënë ajo.
Sipas saj, një rritje ekonomike prej 4.5 për qind parashihet në dy vitet e ardhshme.
/Epoka e re/ A. Mavraj/
https://www.facebook.com/621427247947955/photos/a.621445787946101/2119293874827944/?type=3