Banka “Credit Suisse” shpallet fajtore për pastrim të parave
Credit Suisse është shpallur fajtor dhe gjobitur për përfshirje në pastrim parash në lidhje me një rrjet bullgar të drogës.
Gjykata penale e Zvicrës zbuloi se banka nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar anëtarët e sindikatës së krimit të përfitonin nga trafikimi i kokainës në Evropë.
Banka është gjobitur me rreth 1.7 milion £ dhe u urdhërua t’i paguante 15 milion £ qeverisë zvicerane, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Banka ka mohuar akuzat dhe ka thënë se do të apelojë kundër vendimit.
Një ish-teniste bullgare, Elena Pampoulova-Bergomi, e cila punoi në bankë për një periudhë, u shpall fajtore për pastrim parash nga gjykata më e lartë penale e Zvicrës dhe u dënua me 20 muaj burg me kusht. Gjoba e saj prej 1.7 milion £ u pezullua gjithashtu.
Credit Suisse është banka e dytë më e madhe në Zvicër dhe mohon keqbërjen. Është hera e parë që një bankë zvicerane i nënshtrohet një procedimi të tillë penal.