Banka për Biznes shtrenjton mirëmbajtjen e llogarisë

30 qershor 2023 | 21:41

Banka për Biznes Sh. A  nga muaji maj ka rritur tarifat mujore për mirëmbajtje të llogarisë për biznese.

Deri në muajin prill klientët e kësaj banke kanë paguar 2.99 euro centë në muaj për mirëmbajtje të llogarisë, kurse nga muaji maj e tutje për mirëmbajtje të llogarisë do të paguajnë 5.00 euro në muaj.
Disa afaristë të veprimtarive të ndryshme, klientë të kësaj banke, gazetës “Epoka e re” i kanë shprehur shqetësime për këtë tarifë kaq të lartë dhe kanë thënë se shumë shpejt do të bëhen klientë të ndonjë banke tjetër e cila për mirëmbajtje të llogarisë ka tarifë më të ulët.

“Deri në muajin prill për mirëmbajtje të llogarisë kam paguar tarifë mujore 2.99 euro centë, kurse nga muaji maj banka ka filluar të m’i ndalë nga llogaria nga pesë euro për mirëmbajtje, pa më ftuar për nënshkrim të kontratës së re me tarifë më të lartë. Edhe kur ka qenë 2.99 euro centë nuk ka qenë e ulët, por tash që e ka bërë pesë, është shumë e lartë.

Dje dhe sot u kam telefonuar bankave të tjera dhe kam marrë ofertat e tyre për mirëmbajtje të llogarisë. Një prej tyre kishte tarifë më të ulët dhe nga java tjetër do t’i tërheq mjetet nga BPB-ja, t’i deponoj në bankën tjetër dhe të bëhem klient i saj”, ka thënë një klient i BPB-së, i njohur për redaksinë e “Epokës së re”.

Edhe një kliente tjetër e kësaj banke, e njohur për redaksinë e gazetës “Epoka e re”, ka shprehur shqetësim për tarifën e re të Bankës Private të Biznesit. “E kanë tepruar, për besë. Kur jam bërë kliente e kësaj banke, tarifa mujore e saj për mirëmbajtje të llogarisë së biznesit ka qenë 1.99 euro centë.

Një vit pas, e bënë 2.99 euro centë. Dy vjet pas, fiks 5.00 euro. Inshallah ndalen me kaq, përndryshe duhet ta mbyll llogarinë në atë bankë e ta hap në një tjetër bankë!”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova ka njoftuar se nga sezoni…