Banka qendrore e Norvegjisë rrit normat e interesit, e para në botën e zhvilluar që mori këtë veprim

24 shtator 2021 | 23:28

Të enjten, banka Norges u bë banka e parë qendrore perëndimore që rriti normat e interesit, pas fillimit të pandemisë së koronavirusit.

Pas uljes së normave tri herë në vitin 2020, për shkak të pasojave ekonomike nga kriza, banka qendrore e Norvegjisë vendosi të rrisë normat e interesit nga zero në 0.25%.

“Me normalizimin e ekonomisë, tani është e përshtatshme të normalizohet gradualisht edhe politika e normave të interesit”, tha guvernatori Oystein Olsen, në një deklaratë të enjten.

Monedha e Norvegjisë u rrit në nivelet më të larta kundrejt euros që nga qershori dhe fitoi 0.7% kundrejt dollarit amerikan.

Rritja e normës së interesit vjen pasi shumë banka qendrore po konsiderojnë lëvizje të ngjashme në sajë të rritjes ekonomike dhe rritjes së inflacionit. Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e Rezervës Federale theksuan se së shpejti mund të ngadalësohet blerja e bonove. Banka Qendrore Europiane kohët e fundit e ngadalësoi blerjen e bonove, por lëvizja e normës aktuale nuk pritet të ndodhë ende.

“Rihapja e shoqërisë ka çuar në një rritje të dukshme të ekonomisë norvegjeze, dhe aktiviteti tani është më i lartë se niveli para-pandemik. Papunësia ka rënë dhe përdorimi i kapaciteteve duket se është pranë nivelit normal”, shtoi banka në deklaratë./CNBC/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hulumtuesi dhe profesori universitar në Universitetin Agder në Kristiansand, Abit…