Bankat komerciale në Kosovë fituan rreth 108 milionë euro nga kreditë
15 nëntor 2022
| 12:43
Bankat komerciale në Kosovë kanë arritur fitime të pastra prej 107.7 milionë euro vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2022.
Sipas raportit të BQK-së për sistemin financiar deri në shtator 2022, gjatë muajve të fundit vërehet rritje e normave të interesit në kredi që aplikohen nga bankat komerciale, ku norma mesatare e interesit në kredi ka shkuar në 6.3 për qind, përderisa më herët ka qenë nën 6 për qind.
Sipas BQK-së, kamatat mesatare në kreditë konsumuese janë 6.4 për qind, përderisa mesatarja e kamatave në kreditë hipotekare është 5 për qind.
Në anën tjetër, norma mesatare e interesit në depozita është 1.9 për qind, apo me një dallim prej 4.4 për qind në krahasim me normat mesatare të interesit në kredi.