Banorët e Kamenicës kundër reformës në arsim
Vazhdojnë kundërshtimet e reformës në arsim në Komunën e Kamenicës. Kundër reformës në arsim në këtë komunë para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), kanë protestuar mësimdhënës, nxënës e prindër nga shkolla fillore “Hasan Prishtina”, në Busavatë të Kamenicës.
Nxënësit e kësaj shkolle kanë mbajtur në duar pankarta me të cilat i janë drejtuar, ministres së Arsimit, Hykmete Bajrami, kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani e kryeministrit Albin Kurti.
“Vjosë e Albin, ne jemi duke vuajtur”, “Duam librat tona”, shkruante në disa nga pankartat që mbanin në duar nxënësit e kësaj shkolle.
Drejtori i shkollës “Hasan Prishtina” në Busavatë, Abedin Maliqi i ka bërë thirrje MASHT-it, që ta ndalojë reformën e ndërmarrë nda kryetari Qëndron Kastrati. Ai e ka porositur Kastratin që tërhiqet nga reforma.
“Për 72 vite fëmijët morën dije në këtë shkollë. Nuk e pata të vështirë të jem me 11 mars të vitit 1981 në Mnezën e studentëve, nuk e pata të vështirë të jem i rrethuar së bashku me studentët në vitin 1981 nga Jugosllavia. Nuk e pata të vështirë të solidarizohem me minatorët e Trepçës. Nga 2 shtatori po e kam shumë të vështirë të gjendem përballë policit të Kosovës. Po e kam të vështirë të dal këtu sepse këtë gjellë që po e përgatit Qëndron Kastrati e bënë vetëm Beogradi”, ka thënë drejtori Maliqi.
Ndërsa, Feim Maliqi nga Këshilli i Prindërve ka thënë se nga kjo reformë po mbyllet shkolla e Busavatës e cila ka 104 nxënës.
“Shkolla ku thotë Qëndroni t’i dërgojmë fëmijët është kancerogjene. Nuk do të lejojmë të mbyllet shkolla. Hedhim poshtë memorandumin e nënshkruar nga MASHT dhe Qëndron Kastarti , ku thuhet se çdo vendim do ta marrin së bashku me komunitetin”, ka thënë Feim Maliqi.
Ndërsa nxënësja Almedia Maliqi ka recituar një vjershë për shkollën. Ndryshe , Komuna e Kamenicës me gjithë ndryshimet, zotohet se nuk do të heqin dorë nga reforma.
Reforma në Kamenicë është ndarë në dy faza. Faza e parë është aplikuar në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe ka përfshirë fshatrat Krilevë, Busavatë, Strezoc e Tuxhec. Ndërkaq, faza e dytë që edhe është pezulluar ka përfshirë fshatrat Koretin, Topanicë e Petroc.