Banorët e lagjes “Muharrem Fejza” protestojnë sërish para Komunës së Prishtinës
Banorët e lagjes “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse, do të protestojnë këtë radhë përpara ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
Dren Shahini, ka bërë me dije përmes një njoftimi se protesta do të zhvillohet sot (e martë), duke filluar nga ora 11:30 deri në 12:00, tek oborri i objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës
“Edhe pas protestës së para dy javëve nuk kemi parë përshpejtim të punimeve. Gjithashtu, në protestë do të ju njoftojmë për peticionin i cili do t`i paraprinë PADISË nga ne banorët për Komunën e Prishtinës! Punimet kanë filluar tash e katër muaj, dhe prej asaj kohe përditshmëria jonë është rënduar skajshëm. Nuk kemi hapsira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd”.
“Me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhesë të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht. Ne si banorë, kërkesat tona i kemi adresuar disa here në Komunë por edhe tani jemi pa përgjigjje ndaj tyre. Kemi shtjerur çdo formë mirëkuptimi e institucionale si banorë. Andaj, me datën e lartë cekur PROTESOJMË për: Intesifikim të punimeve, për rrugë alternative të mirëmbajtuara, për mbikëqyrje të punimeve dhe zbatim të planit dinamik të punës. Ju fotjmë ta ndiqni këtë aktivitet, me qëllim sensibilizimi dhe adresimi të kërkesave tona drejt autoriteteve komunale”, ka thënë Shahini përmes njoftimit.