Banorët e Rekës së Keqe të Gjakovës do të kenë ujë për pije deri në fund të vitit 2018
Premtohet zgjidhja e problemit të ujit në komunën e Gjakovës
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, sot ka pritur në takim një delegacion nga projekti i qeverisë zvicerane CDI, me të cilët ka bashkëbiseduar për projektet e përbashkëta që komuna e Gjakovës ka me qeverinë zvicerane në aspektin e rrjetit të ujësjellësit dhe sigurimit të ujit të pijes për banorët e komunës.
Përfaqësuesi i CDI-së Alan Brown ka bërë të ditur se tashmë kanë përfunduar projektet e ujit të pijes në regjionet e Dushkajës dhe të Rekës së Mirë, ndërsa është në fazën e fundit projekti për ujin e pijes në Rekën e Keqe, ku CDI ka financuar shtrirjen e rrjetit në 28 fshatra.
Në mënyrë që banorët e Rekës së Keqe ta furnizohen sa më shpejt me ujë të pijes, Brown ka kërkuar nga komuna që të shlyejë obligimet e veta të bashkëfinancimit për këtë projekt dhe të angazhohet që të përfundojë sa më parë projekti tjetër komunal për sjelljen e ujit nga burimi në Bjeshkët e Botushës deri te rrjeti i ri.
Lidhur me këto kërkesa, kryetari Gjini ka njoftuar se komuna është duke u angazhuar që pjesën e vet të bashkëfinancimit, në vlerë prej rreth 250 mijë euro, ta paguajë deri në muajin qershor, atëherë kur edhe është afati për pagesë.
Ai tha se ka disponim të mirë edhe të kryeministrit Ramush Haradinaj që Qeveria e Kosovës të shtojë një pjesë të mjeteve, në mënyrë që ky projekt të përfundojë sa më parë dhe banorët e Rekës së Keqe të kenë ujë për pije deri në fund të vitit 2018