Banorët e Shillovës në Gjilan kërkojnë mbylljen e tri lokaleve hoteliere në këtë fshat

16 mars 2021 | 11:50

Komiteti për Komunitete në Gjilan ka shqyrtuar të martën një peticion të banorëve të Shillovës, të cilët kërkojnë ndalimin e punës së tri lokaleve hoteliere në këtë fshat të banuar me serbë, ‘Ekskluziv’, ‘Srce’ dhe ‘Kod Selene” për shkak se po operojnë jashtë veprimtarisë së regjistruar dhe në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret komunale.

Milivoje Stojanoviq, këshilltar komunal, ka thënë se banorët e Shillovës janë të indinjuar me sjelljet e mysafirëve të cilët i frekuentojnë këto lokale, duke përmendur edhe një incident me të shtëna që ka ndodhur ditëve të fundit në njërin nga këto lokale.

Kapiteni i Policisë së Kosovës për regjionin e Gjilanit, Negovan Mihajloviq, ka thënë se është e vërtetë që ka prishje të rendit dhe qetësisë publike nga këto lokale dhe ky problem duhet të zgjidhet.

Shefik Surdulli ka shprehur keqardhje për shqetësimet e prezantuara të banorëve të Shillovës dhe ka kërkuar që kërkesa e tyre të trajtohet dhe të zgjidhet në kuadër të përgjegjësive ligjore, nëse këto biznese nuk respektojnë veprimtarinë e tyre, por pa i dhënë konotacion ndëretnik problemit, sepse nuk është i tillë.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka pohuar se inspektorati komunal ka ndërmarrë disa herë masa ndaj këtyre lokaleve dhe sugjeroi që këto lokale të mbyllen nëse kanë devijuar veprimtarinë e tyre si biznese.

Komiteti i rekomandoi Kuvendit dhe Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi që ta trajtojnë këtë problem të banorëve të Shillovës, të cilin ata e kanë adresuar tek institucionet komunale në formë të peticionit, kurse Inspektorati komunal ta monitorojë gjendjen dhe t’i ndërmarrë masat e nevojshme ndaj këtyre bizneseve, nëse ato shkelin ligjin gjatë veprimtarisë së tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur të…