Banorët e Zhabarit kërkojnë ndihmë nga komuna për problemet në infrastrukturë
Një grup qytetarësh nga Zhabari i komunës së Mitrovicës janë pritur të enjten në një takim nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, të cilin e kanë informuar për disa probleme me të cilat ata po ballafaqohen në lagjet ku jetojnë.
Përfaqësuesi i qytetarëve, Feriz Ferizi, i ka thënë nënkryetarit Mujka se ka disa dekada që ata ballafaqohen me problemin e kanalizimit dhe të një kanali që shërben për bartjen e tepricës së ujit të kanalit Ibër Lepenc, por që pas lufte ky problem është thelluar.
Ferizi ka pohuar se nga kanali i lartpërmendur, në të cilin derdhen edhe kanalizimet e shumta të shtëpive, vazhdimisht dalin ujërat, kryesisht ato të kanalizimeve dhe i vërshojnë rrugët, kopshtijet dhe pronat tjera, të cilat dëmtohen tej mase.
“Në pjesën ku jetojmë rreth 100 familje, jeta na është vështirësuar nga uji dhe kanalizimet. Rrugët janë të mbyllura dhe vetëm me çizme mund të kalohet nëpër to. Po ashtu, kopshtijet dëmtohen tërësisht ngase vazhdimisht janë nën ujë, gjithashtu edhe pronat tjera. Ne po kërkojmë ndihmën tuaj që t’i tejkalojmë më në fund këto telashe shumë të mëdha për ne”, ka thënë përfaqësuesi i qytetarëve të Zhabrit, Feiz Ferizi.
Nënkryetari Mujka ka thënë komuna do të bëjë gjithçka që është e mundur që problemet të zgjidhen.