Banorëve të “Pozhegut Brothers”, garazhet, depot, banesat iu mbushen me ujë

12 shtator 2024 | 14:05

Banorët e lagjes “Kalabria”, të cilët kanë blerë banesa nga kompania “Pozhegu Brothers” në “Luginën e Perëndimit”, kanë raportuar sot te gazeta “Epoka e re” se garazhet, depot dhe banesat po iu mbushen me ujë sa herë që po bie shi. Disa prej tyre i kanë dërguar video dhe fotografi redaksisë së gazetës, në të cilat video dhe foto shihen dëmet e mëdha në banesat, depot dhe garazhet e tyre pas reshjeve të shiut.

Banorët kanë bërë me dije se që prej se kanë hyrë në objekt, para shtatë vjetësh, vazhdimisht i kanë dërguar ankesa kompanisë për cilësinë e ndërtimit, por kompania nuk ka intervenuar për përmirësimin e të metave në objekt.

Po ashtu, ata kanë njoftuar se edhe muret në banesat dhe garazhet e tyre janë plasaritur.

Para tri ditësh disa banorë të objektit “Lugina e Perëndimit”, ndërtuar nga kompania “Pozhegu Brothers”, kanë shkuar në zyrat e saj dhe kanë kërkuar prej pronarëve të saj të intervenojnë në objekt, t’i bëjnë përmirësimet e nevojshme në kulmin e objektit dhe, gjithashtu, në banesa dhe depo.

Pas takimit, banorët kanë treguar për gazetën se pronarët e kompanisë u kanë thënë se mund të bëjnë përmirësime në objekt në rast se banorët mbledhin para dhe e paguajnë kompaninë për renovime.

Një banor në “Luginën e Perëndimit” për gazetën “Epoka e re” ka thënë: “Ky objekt nuk ka as dhjetë vjet që është ndërtuar. Edhe pse është pajisur me fletë poseduese, ne vazhdimisht kemi bërë ankesa te kompania për cilësinë e dobët të ndërtimit. Sa herë që bie shi, uji na depërton në banesa, muret e të cilave janë çarë. Gjendje shumë të keqe dhe mure të çara kemi edhe në garazhe. Shumë depo tonat, të cilat i kemi në katin -1 dhe -2, në të cilat mbajmë ushqime, i ka marrë uji. Në disa vende, po në garazhe, muret janë çarë. Kompania ato çarje (plasaritje) i ka mbuluar me llamarinë. Meqë kompania kërkesat e banorëve nuk po i merr seriozisht, mund të vini ta vizitoni vetë objektin. Do të shihni se uji po rrjedh edhe te poçet elektrike. Këtë herë po jua dërgojmë vetëm disa fotografi dhe video”, ka thënë një banor i objektit “Lugina e Perëndimit” ndërtuar nga kompania “Pozhegu Brothers”.

Gazeta “Epoka e re” gjatë ditës së nesërme do të bëjë një vizitë te ky objekt kolektiv dhe do të bashkëbisedojë me pronarët e banesave dhe, gjithashtu, do të përpiqet të kontaktojë edhe me kompaninë “Pozhegu Brothers” për të marrë një përgjigje prej pronarëve të saj. /B. Dakaj/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rekomandimin e Komisionit ‘Ad-Hoc’, deputetët e Kuvendit të Kosovës…