Barack Obama i rikthehet fushatës për të ndihmuar demokratët në zgjedhjet e 8 nëntorit
Barack Obama po përpiqet të bëjë diçka që nuk mundi gjatë dy mandateve si president: të ndihmojë demokratët të fitojnë në zgjedhjet që mbahen kur ata kanë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë.
Obama është më popullor se sa ishte atëherë, dhe tani është presidenti Joe Biden, ish-zëvendësi i tij, i cili përballet me rrezikun e humbjes në nëntor.
Ish-presidenti Obama do të nisë të premten me shtetin e Xhorxhias një udhëtim në shtetet ku garat janë vemdimtare dhe më pas në Miçigan dhe Uiskonsin, pasuar nga ndalesat javën e ardhshme në Nevada dhe Pensilvani.
Itinerari, i cili përfshin tubime me kandidatët demokratë për zyrat federale dhe shtetërore, vjen ndërsa zoti Biden dhe demokratët përpiqen të pengojnë fushatën e ashpër republikane për të përmbysur shumicën e ngushtë të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Kjo përpjekje gjithashtu ka qëllim fitoren e pozitave kyçe të guvernatorëve përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Ndërsa vlerësimet pozitive të opinionit amerikan për punën e presidentit Biden kanë rënë nën 40% dhe përballja me inflacionin, për kandidatët për senator si Raphael Warnock nga Xhorxhia dhe Catherine Cortez Masto nga Nevada, zoti Obama është një përkrahje e mirëseardhur.
“Obama zë një vend të rrallë në politikën tonë sot,” tha David Axelrod, i cili ishte një nga arkitektët e fushatave të zotit Obama që nga ditët e tij si senator i Illinoisit dhe dy zgjedhjeve presidenciale.
“Ai padyshim nxit shumë demokratë të votojnë. Por, ai është gjithashtu i pëlqyer edhe nga votuesit e pavarur”.
As presidenti Biden dhe as ish-Presidenti Donald Trump nuk mund ta thonë të njejtën gjë, vë në dukje zoti Axelrod dhe të tjerët, edhe pse të dy e kanë intensifikuar fushatën e tyre përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit.
“Barack Obama është oratori më i mirë që kemi në partinë tonë dhe ai është figura politike më popullore në vend në secilën parti”, tha Bakari Sellers, demokrat nga Karolina e Jugut dhe komentator i shquar politik.
Zoti Obama u largua nga detyra në janar të vitit 2017 me një vlerësim pozitiv popullor prej 59%. Organizata “Gallup” e mati përkrahjen për të një vit më pas duke treguar se 63% e të anketuarve kishin mendim pozitiv për të, hera e fundit që organizata kreu hulumtim për ish-presidentët. Kjo është dukshëm më e lartë se vlerësimet pozitive që kishte në vitin 2010, kur demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë zgjedhjeve që zoti Obama i quajti “disfatë”.
Në zgjedhjet e radhës, që mbahen në mesin e mandatit të presidentëve, katër vjet më vonë, republikanët morën edhe kontrollin e Senatit.
Zoti Biden udhëtoi të enjten në Sirakuzë, Nju Jork, për të bërë fushatë në një qark që është në garë më 8 nëntor.
“Demokratët po ndërtojnë një Amerikë më të mirë për të gjithë me një ekonomi … ku të gjithë ia dalin mirë”, tha Biden.
Megjithatë, Lis Smith, stratege demokrate, tha se zoti Obama është në pozicion më të mirë për të folur për ekonominë para amerikanëve që nuk kanë vendosur për kë të votojnë ose nëse do të votojnë fare.
“Nëse është thjesht një referendum i drejtpërdrejtë për demokratët dhe ekonominë, atëherë ne jemi të dëshpëruar”, tha zonja Smith, duke pranuar se asnjë parti në pushtet nuk dëshiron të kandidojë derisa vendi përballet me inflacion që nuk po bie.
“Por ju duhet të drejtoni debatin drejt asaj që njerëzit duhet të zgjedhin mes dy partive dhe të nënvizoni dallimet mes tyre”.
Presidenti Obama, tha ajo, e bëri këtë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 dhe 2012 “duke fituar shumë votues të bardhë të klasës punëtore dhe të tjerë që ne nuk i shohim si pjesë të përkrahësve të rregullt të “grupit pro Obama”.
Mes mandatave të tij si president, kur mbaheshin zgjedhjet afatmesme, ai nuk mund ta përsëriste mesazhin e njëjtë derisa e udhëhiqte vendin, por këtë herë ai nuk është president. Zonja Smith dhe zoti Axelrod thanë se kjo do të thotë se presidenti Obama mund të pozicionohet më me shkathtësi për të mbrojtur arritjet e demokratëve. Ai mund të flas për veprimet për zvogëlimin e inflacionit, pakoja ndihmuese për përballje me pandeminë e virusit Covid-19 ndonëse këtë të fundit demokratët e kanë shmangur ta përmendin pasi republikanët se është fajtore për inflacionin.
Zonja Smith tha se presidenti Obama mund t’u kujtojë votuesve vitet e sulmeve republikane ndaj ligjit të tij të kujdesit shëndetësor të vitit 2010, i cili tani duket të jetë pjesë e përhershme dhe përgjithësisht e pranuar e tregut të sigurimeve shëndetësore në SHBA.
Përtej këtyre argumenteve të politikës, zoti Sellers vuri në dukje se Obama, si presidenti i parë me ngjyrë, “lidhet veçanërisht me votuesit afrikano-amerikan dhe pjesëtarë të grupeve tjera minoritare racore”.
Në Atlanta, ai do të bëjë fushatë për kandidatin Warnock, senatorin e parë me ngjyrë në historinë e shtetit të Xhorxhias, dhe Stacey Abrams, e cila po konkurron për t’u bërë guvernatorja e parë femër me ngjyrë të të njëjtit shtet amerikan. Zoti Warnock përballet në një garë të ashpër nga kandidati republikan Herschel Walker, i cili është gjithashtu afrikano amerikan. Zonja Abrams po përpiqet të rrëzojë guvernatorin republikan Brian Kemp, i cili e mundi atë me vështirësi katër vjet më parë.
Me Senatin tani të ndarë 50-50 midis dy partive kryesore dhe nënpresidentes Kamala Harris që u jep demokratëve votën vendimtare, çdo garë për Senatin më 8 nëntor mund të vendosë se cila parti e kontrollon atë për dy vitet e ardhshme.
Rritja e përkrahjes për zotin Obama është një kthesë krahasuar me kohën kur ishte president dhe mbaheshin zgjedhjet e ngjajshme me ato që do mbahen më 8 nëntor, mes mandateve presidenciale. Ndonëse kjo nuk është diçka e rrallë. “Shumica prej tyre, ndoshta jo Presidenti Trump, por shumica prej tyre shihen më mirë pasi largohen nga detyra”, tha zoti Axelrod.
Veçanërisht, gjatë presidencës së Obamës, ish-presidenti Bill Clinton ofroi ndihmesë me peshë, veçanërisht për të moderuarit që përpiqeshin t’i mbijetonin rritjeve republikane në 2010 dhe 2014. Zoti Clinton ishte një zë kyç edhe për përpjekjen e presidentit Obamës për rizgjedhje më 2012.
“Bill Clinton ishte faktori më i vlefshëm për ne në vitin 2012”, tha zoti Axelrod.
Tani, ish presidenti Clinton ka dy dekada që është larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe lëvizja “#MeToo” ka detyruar njerëzit të rivlerësojnë historinë e tij të akuzave për sjellje të pahijshme seksuale.
Por zoti Axelrod tha se ish presidentët Obama dhe Clinton kanë një qasje të ngjashme.
“Ajo që i bashkon Clintonin dhe Obamën është një lloj aftësie unike për të sqaruar argumente të ndërlikuara politike të kohës, duke përdorur terma të arsyeshëm”, tha zoti Axelrod.
“Ata dinë të shpjegojnë. Unë mendoj se do e vëreni këtë kur ai të fillojë fushatën.”/VOA