Baraliu: KQZ-ja ta ndalë manipulimin e Listës Serbe
Njohësi i proceseve kushtetuese dhe zgjedhore, Mazllum Baraliu, është shprehur i shqetësuar me ndërhyrjen e paprecedentë të Listës Serbe për t’i tjetërsuar mandatet e rezervuara të komuniteteve joshumicë në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka deklaruar për “Epokën e re” se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërhyjë në këtë proces dhe ta ndalë manipulimin e Listës Serbe me të drejtat elementare kushtetuese të garantuara të minoriteteve të tjera.
Sipas Baraliut, KQZ-ja duhet t’i anulojë të gjitha vendvotimet aty ku nuk ka pasur boshnjakë dhe është votuar për subjektet e këtij komuniteti. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si institucion i pavarur kushtetues që ka për detyrë ta menaxhojë procesin e zgjedhjeve, në mënyrë urgjente duhet të ndërhyjë. Do të duhej që menjëherë t’i shënjojë ato vendvotime që në mënyrë të kundërligjshme është votuar një komunitet ku nuk ka fare pjesëtarë të atij komuniteti. Pra, aty ku nuk ka fare boshnjakë kanë votuar të tjerët për ta. Do të duhej që KQZ-ja t’i shënojë këto raste, t’i rinumërojë votat dhe t’i anulojë ato. Pra, do të duhej që të anulohen ato vendvotime, në mënyrë që ato vota të mos i marrin as ata që i kanë marrë në mënyrë të kundërligjshme”, ka thënë Baraliu.
Ai ka treguar se komunitetet e dëmtuara në këtë proces mund t’i ndjekin të drejtat e tyre edhe përmes procedurës së ankimimit. “Nëse kjo nuk bëhet, atëherë përmes mekanizmave ankimorë komunitetet e dëmtuara duhet të kërkojnë drejtësi në PZAP, në Gjykatën Supreme dhe në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur ai.
Me tej, Baraliu ka treguar se pse Lista Serbe po tenton t’i marrë mandatet e komunitet boshnjak dhe ashkali. “Marrja e dy mandateve nga komuniteti boshnjak dhe dy nga komuniteti ashkali dhe rom është një lojë e rrezikshme. Kjo është bërë për ta penguar ndryshimin e Kushtetutës, për të manipuluar me të drejtat e komuniteteve joshumicë, për ta minuar sistemin, për t’i marrë fuqinë e ndikimit dhe për ta penguar formimin e qeverisë. E keni parë tash se çfarë kërkesa absurde kanë ata përfaqësues. Kjo bëhet për ta shantazhuar Kushtetutën, sistemin, qeverinë dhe shtetin e Kosovës. Kjo është shumë e rrezikshme. Është për t’u çuditur se si po heshtet kjo çështje nga institucionet”, ka thënë Baraliu.