Baraliu: LV-ja dhe LDK-ja mund të vendosin një standard të ri, duke zgjedhur një kandidat konsensual për president
Njohësi i çështjeve kushtetuese në vend, Mazllum Baraliu ka thënë se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga qytetarët ka shumë përparësi dhe ka shumë anë pozitive më tepër se kjo që është tani.
“Zgjidhja e drejtpërdrejtë e presidentit në radhë të parë legjitimon dukshëm më tepër presidentin në pozitën e tij për ta zbatuar dispozitën e nenit 84 të Kushtetueses, ku ka mbi 30 kompetenca. Kjo do të bënte që presioni të jetë më kredibil në raport me institucionet e vendit për të cilat presidenti me Kushtetutë është i detyruar të kujdeset për zhvillimin institucional dhe demokratik, për unitetin demokratik të popullit dhe për mbarëvajtjen e të gjitha linjave institucionale të shtetit”, ka thënë Baraliu për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka treguar se LV-ja dhe LDK-ja këtë pengesë në negociatat e tyre mund ta kalojnë me parimësi dhe mirëkuptim.
“Me Kushtetutë partisë fituese i takojnë kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, por LV-ja i ka ofruar LDK-së postin e kryeparlamentarit dhe zëvendëskryeministrin e parë. Tani mendoj se çështja e presidentit është e parakohshme, sepse ka të bëjë me një marrëveshje paragjykuese, me një pozicion që nuk është vakant, për faktin se nuk dihet se në çfarë konstelacioni dhe atmosfere mund të jetë situata në momentin e përfundimit të mandatit të presidentit të tanishëm”, është shprehur Baraliu.
Më tej, ai ka vlerësuar se këto dy parti mund të vendosin një standard tjetër në këtë çështje, duke zgjedhur një kandidat konsensual për president.
“Mendoj se do të duhej që me korrektësi LDK-ja të heqë dorë nga presidenti, apo të vijë në shprehje varianti i dytë që, për mendimin tim, ka të bëjë me një solucion që parimisht të hyjë në pako edhe marrëveshja për presidentin, por që president të mos jetë i LDK-së dhe as i LV-së. Pra, të jetë kandidat konsensual, jashtë politikës. Ky do të ishte edhe një standard i ri i vendosur nga këto dy subjekte politike për të dalluar nga praktika e deritashme ku zgjedhja e presidentit ka qenë e vështirë”, ka thënë Baraliu.