Baraliu për situatën në Kuvend: Partitë po bëjnë parodi

30 prill 2025 | 08:07

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, i ka cilësuar veprimet e partive si “parodi politike” dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente institucionale për të tejkaluar ngërçin, pas dështimit për të tetën herë radhazi për t’u konstituuar Kuvendi.

“Sipas parimeve të drejtësisë, çdo proces duhet të ketë afate të arsyeshme. Edhe pse Kushtetuesja nuk ka caktuar një afat specifik për konstituimin e Kuvendit në vendimin e vitit 2014, kjo nuk nënkupton që procesi mund të zvarritet pafundësisht”, ka deklaruar Baraliu në “Interaktiv”.

Ai theksoi se deputetët kanë detyrime të qarta ndaj votuesve të tyre dhe nuk mund të sillen në mënyrë të papërgjegjshme apo shpërfillëse ndaj interesit publik.

“Detyra e deputetit është e pavarur, por kjo nuk nënkupton papërgjegjësi. Votimi për formimin e institucioneve është detyrë kushtetuese”, shtoi ai.

Baraliu paralajmëroi se vendi po përballet me një situatë emergjente në çdo fushë dhe se vonesat në formimin e institucioneve po e dëmtojnë funksionimin demokratik dhe zhvillimin e vendit.

“Nuk ka racionalitet politik dhe mungon strategjia në të menduarit politik. Partitë duhet të tejkalojnë inatet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët. Demokracia është edhe begati e diversitetit”, theksoi ai.

Ai sugjeroi që Avokati i Popullit apo presidentja e vendit të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për situatën, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje ligjore.

“Gjykata Kushtetuese duhet të japë mendimin e saj me urgjencë. Nuk ka zgjidhje tjetër për të dalë nga ky bllokim institucional”, përfundoi Baraliu.

Profesori paralajmëroi se nëse shkohet në zgjedhje, të gjitha partitë do ta marrin dënimin e merituar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juristi Azem Vllasi ka thënë se nëse nuk ka zgjidhje…