Baraliu: UPZ-ja është universiteti i dytë më i konsoliduar në Kosovë
Zëdhënës i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramadan Baraliu, ka lavdëruar punën e deritashme të këtij universiteti.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se për tetë vite të funksionimit ky institucion është konsoliduar dhe profilizuar mjaftë mirë në suaza të mundësive ekzistuese në vend dhe mbështetjes nga institucionet qendrore, donatorëve nga BE-ja e SHBA, si dhe bashkëpunimi me universitetet perëndimore.
“UPZ-ja më nuk është i varur nga UP-ja në asnjë pikëpamje, përpos që i japim përparësi në rekrutim stafit nga UP-ja që shpreh interesin për angazhim në UPZ-së. Aktualisht, si në formë edhe në përmbajtje UPZ-ja është Universiteti më i konsoliduar, me infrastrukturë moderne, staf adekuat akademik dhe administrativ dhe ofron programe studimore ekskluzive komfor kërkesave të tregut regjional dhe me gjerë, më të madhin në vend, me planprograme të krahasueshme me universitet më prestigjioze perëndimore. Po ashtu së voni në UPZ është themeluar Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, me drejtime shumë të nevojshme për treguan e vendit, që është edhe një kontribut i madh drejt profilizimit të mëtutjeshëm dhe ekskluzivitetit që ka UPZ-ja”, ka vlerësuar Baraliu, duke përmendur edhe specifika tjera të këtij universiteti.
“Specifik tjetër shumë e rëndësishme përmbajtjesore e UPZ-së është fakti se ofron programe në tri gjuhë, duke ju përgjigjur diversitetit kulturor dhe gjuhësor të Prizrenit me rrethinë: UPZ ofron programe në drejtime përkatëse në gjuhën shqipe, boshnjake dhe atë turke, po ashtu edhe programin e gjuhës gjermane dhe atë të gjuhës angleze”, ka shkruar ai.
Sipas Baraliut, për UPZ-në, janë të mirëseardhura nismat e MASHT për avancimin dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të UPZ-së, që janë parimore dhe që i paraprin një debat gjithëpërfshirës.