Baraliu: Vendimi i Kushtetueses për pagat duhet respektuar, të ndalen grevat
Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për paga deri më 30 mars të vitit të ardhshëm duhet të respektohet pavarësisht atyre që pretendojnë që mund të ketë interferime politike ose ndonjë skenar të mundshëm, ndërsa protestat e organizuara nga sindikatat të ndalohen për të mos u dëmtuar procesi arsimor.
Kështu vlerëson njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Mazllum Baraliu derisa shprehet i habitur pse Kushtetuesja mori vendim të shpejt dhe pezulloi në tërësi ligjin i cili është miratuar në shkurt të këtij viti, e jo pjesërisht ashtu siç kishte iniciuar institucioni i Avokatit të Popullit.
Madje, Baraliu deklaron se edhe po të formoheshin institucionet e reja më 24 dhjetor, ashtu siç është paralajmëruar, interferimi ndaj vendimit të gjykatës do të ishte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Profesori universitar Baraliu, ka deklaruar për “KP”, se me anë të këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese ka kërkuar mendim të Komisionit të Venecias dhe për të marrë një vendim përfundimtar si duket Gjykatës Kushtetuese i duhet edhe ekspertiza e këtij komisioni. “Ajo që po ashtë është e rëndësishme që Ligji në tërësi është pezulluar jo pjesërisht, sepse Avokati i Popullit në parashtresën e t’i ka bërë kërkesë për disa dispozita dhe jo për tërësinë e ligjit. Si do qoftë ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e kushtetueses janë obligative për çdo person fizik dhe juridik që të respektohen në tërësi. Nuk ka instancë tjetër ankimore, andaj unë bëjë apel te të gjithë të pa kënaqurit ose ata që pretendojnë që diçka nuk është rregull me këtë procedurë të iniciuar nga avokati i popullit, sepse është e drejt e tij e garantuar me Kushtetutë. Pra avokati i popullit ka ushtruar një autorizim kushtetues me kërkesën e palëve të interesuara dhe gjykata ka marrë një vendim kushtetues dhe ligjor në kuadër të ligjit dhe Kushtetutës”, thotë Baraliu.
Njohësi i Kushtetutës së Kosovës shton se po të vepronte Kushtetuesja në frymën e parashtresës së Avokatit të Popullit që pjesërisht disa prej dispozitave t’i kontestonte, ka pasur mundësi që ligji të zbatohet në tërësinë e tij dhe aty ku janë bërë gabime ose aty ku ka pretendime për gabime për pabarazi ose siç kanë pretenduar disa sindikata për diskriminim, atëherë vetëm ajo pjesë do të duhet trajtuar. Sipas tij, meqë gjykata në këtë rast ka marrë masën e pezullimit në tërësi të ligjit, do të thotë të gjitha dispozitat e tij nga e para deri te e fundit pezullohen për t’u zbatuar deri në datën që e ka përcaktuar gjykata që është 30 marsi i vitit të ardhshëm.
Baraliu duke kërkuar nga sindikatat respektimin e vendimit të Kushtetueses, thotë se duhet pritet vendimi përfundimtar për Ligjin e Pagave, ngase mund të jetë në favor të tyre. “Të gjithë ta respektojmë, mos të ndodhin grevat dhe protestat, sepse do ta dëmtonin shumë procesin mësimor. Më herët është dëmtuar procesi mësimor shumë dhe nuk i shkon askujt në favor që për këtë periudhë të kufizuar kohore që të bëjnë përsëri dëme të tjera. Është mirë që ta kenë parasysh të gjithë të pakënaqurit, se në qoftë se do të ketë një vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese që Ligji është në përputhje më Gjykatën Kushtetuese, atëherë unë mendojë që do të ketë të drejt secili në mënyrë retroaktive nga 1 dhjetori, atëherë kur është parapa që të hyjë në fuqi ky ligj t’i marrin pagat me rritje”, thotë ai.
Baraliu thotë se edhe po të konstituohej kuvendi dhe qeveria më 24 dhjetor, interferimi ndaj vendimit të kushtetueses, do të ishte ndërhyrje në drejtësi, teksa shton se Gjykata Kushtetuese do ta rishqyrtoi ligjin si tërësi, të gjitha dispozitat e tij dhe do të marrë një vendim, i cili domosdshmërisht duhet të respektohet pa ndërhyrje dhe kushdo që ndërhynë do të përzihej në ingirencat e Gjykatës Kushtetuese dhe në drejtësinë e Kushtetutës.