Barazohet seria finale në NBA
Golden State rezultoi më i fortë sesa fati i keq.
Skuadra kampione në fuqi e NBA-së, që vuan ende mungesën e Kevin Durant për shkak dëmtimi, arriti të fitojë ndeshjen e dytë në finalen e madhe ndaj Torontos, 109-104, duke barazuar serinë e ndeshjeve me kanadezët në 1-1.
Vendimtare rezultoi gjuajtja e saktë për 3 pikë e Andre Igoudalës në 6 sekondat e fundit të sfidës.
Ndeshja e zhvilluar në “Scotiabank Arena” ishte me një intesitet të jashtëzakonshëm, me Golden State që përveç fitores, siguroi në fund edhe avantazhin e faktorit fushë, duke qenë se dy ndeshjet e radhës do të zhvillohen në “Oracle Arena” të Oaklandit në Kaliforni.
Warriors u përballën në këtë sfidë me gjendjen jo perfekte të Stephen Curry, ndërkohë që edhe Klay Thompson shfaqi probleme muskulare. Por, kampionët në fuqi të NBA-së treguan edhe njëherë se kanë një forcë psikologjike të admirueshme, e ishte pikërisht ky aspekt që ndihmoi më shumë ata në arritjen e kësaj fitoreje.
Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Torontos prej 5 pikësh, por pas pushimit të ndeshjes Warriors u shfaqën me një tjetër fytyrë, duke regjistruar një rezultat të pjesshëm 18-0, duke bërë që në “Scotiabank Arena” të pllakoste heshtja.
Vrasësi ishte Klay Thompson, që e la para kohe sfidën, por duke shënuar 25 pikë. Dëmtimi i Thompson ringjalli kanadezët, që me rezultatin 10-0 rihapën ndeshjen pak sekonda nga fundi i sfidës. Ishte pikërisht ky momenti kur u shfaq Igoudala, që 6 sekonda nga fundi u tregua i saktë në një gjuajtje nga distanca, duke vulosur një prej fitoreve më të vuajtura të Golden State në epokën e trajnerit Steve Kerr.