Barça ‘blindon’ Fatin
Dy gëzime në një ditë për tifozët e Barcelonës. Gëzimin e parë e morën nga skuadra, që siguroi fitoren e parë në Ligën e Kampionëve pas 10 muajsh, ndërsa lajmi i dytë i madh erdhi nga zyrat e klubit.
Ansu Fati ka rinovuar zyrtarisht kontratën me klubin katalan deri në vitin 2027. Klauzola e largimit në kontratën e 18-vjeçarit është e padëgjuar më parë: 1 miliard euro.
Këtë të ënjtë do të organizohet një konferencë për shtyp me këtë rast, pasi drejtuesit e klubit e vlerësojnë Fatin si pasuesin e denjë të Lionel Messit.
Ansu Fati, tashmë i shëruar nga dëmtimi i rëndë në gju, është një nga idhujt e “Camp Nout” dhe referencë në sulmin aktual “blaugrana”. Që kur debutoi në ekipin e parë, nën drejtimin e Ernesto Valverdes, në sezonin ‘19-‘20, sulmuesi 18-vjeçar nuk ka reshtur së thyeri rekorde dhe mahnitur botën e futbollit.
Është lojtari më i ri që ka shënuar për Barçën në La Liga, më i riu që ka startuar në “Camp Nou”, më i riu që ka debutuar në Ligën e Kampionëve.