Barça ‘blindon’ Kabashin
Labinot Kabashi do të mbetet te Barcelona për të paktën edhe dy sezonet e ardhshme. Talenti shqiptar nga Kosova ka firmosur një kontratë të re, që do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021. Kjo ndodh madje në një moment kur mesfushori është i dëmtuar dhe i duhet të operohet.
Në kontratën e re të Kabashit ka një klauzolë për një zgjatje tjetër edhe për dy vite të tjera, pra kemi një kontratë “2+2” të nënshkruar së fundmi. Ai mund të largohet për shumën e 40 milionë eurove nga “La Masia”, por nëse kalon në ekipin e parë do të duhet që çdo klub të paguajë për të shumën e 100 milionë eurove. Mesfushori 18-vjeçar, i lindur në Finlandë, është grumbulluar me Kosovën më parë. Kabashi ka qenë në stol në takimet me Ukrainën dhe Kroacinë, por ende nuk ka debutuar.
Momentalisht mesfushori qendror luan me të rinjtë e Barcelonës, ndërkohë që është pjesë e katalanasve që në moshën 10-vjeçare.
“Dua të falënderoj Barcelonën për besimin që ka pasur gjithmonë tek unë, edhe pse kam vuajtur nga shumë dëmtime vitet e fundit. Klubi ka qenë gjithmonë krahun tim dhe unë dua të kthehem të stërvitem sa më shpejt e t’ua shpërblej gjithë këtë besim”, është shprehur Kabashi, i cili pritet që së shpejti të kryejë një operim në gjurin e majtë për shkak të një dëmtimi që e shqetëson prej kohësh, ka thënë Kabashi.