Barça e dëshiron Haalandin ose Salahin
Tashmë të gjithë e dinë se objektivi kryesor i gjigantit katalunas është Erling Haaland. Mediumi spanjoll “As” raporton se blaugranët e kanë në tavolinë alternativën e sulmuesit norvegjez të Borussia Dortmundit.
Në fakt, klubi spanjoll do të mundohet ta transferojë sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah. Barça po e konsideron mundësinë që t’ia ofrojë gjigantit britanik 65 milionë euro për futbollistin egjiptian, i cili do të hyjë në vitin e fundit të kontratës me “Reds”.
Për momentin, palët nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për vazhdimin e kontratës dhe këtë vakum mund ta shfrytëzojë Barça për ta sjellë ish-futbollistin e Baselit, Chelseat, Fiorentinës e Romës në “Camp Nou”. Salah është një prej sulmuesve më të rrezikshëm në futbollin evropian.