Barça refuzoi ofertën marramendëse të PSG-së për Yamalin
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta ka konfirmuar se e kanë refuzuar një ofertë prej 250 milionë eurosh për Lamine Yamal. Paris Saint-Germaini raportohet se ishin të gatshëm të “thyejnë” bankën për Yamalin, duke trokitur në dyert e Barcelonës me një ofertë rekorde prej 250 milionë eurosh para hapjes së afatit kalimtar veror.
Drejtuesit e gjigantit francez e kanë parë yllin spanjoll si zëvendësuesin adekuat të Kylian Mbappes, i cili gjatë verës u transferua tek Real Madridi. Sidoqoftë, Laporta ishte i sigurt për potencialin e Yamalit, duke refuzuar këtë ofertë dhe duke i ofruar atij mbështetje për të krijuar më shumë histori në “Camp Nou”.
“Ata erdhën për të blerë Lamine Yamal nga unë për 250 milionë euro dhe unë iu thashë ‘jo’. Ai është lojtari më i famshëm në botë. Cila është vlera e vërtetë e Lamines? Kjo nuk reflekton në librin e rekordeve”, ka thënë Laporta.
Përkundër interesimit të madh nga klubet e tjera, Yamal mbetet i përkushtuar ndaj Barcelonës. Në një intervistë të dhënë së fundmi, 17-vjeçari deklaroi qëllimin e tij për të qëndruar tek klubi në një të ardhme afatgjatë, duke shprehur njëkohësisht dëshirën për t’u bërë legjendë e Barçës. Kontrata e tij aktuale përfshin një klauzolë lirimi në vlerë prej 1 miliardë eurosh, duke siguruar efektivisht të ardhmen e tij në “Camp Nou” deri në vitin 2026.