
Barça refuzon 65 milionë euro për De Jongun
Frenkie de Jong vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të mesfushës së Barcelonës, por e ardhmja e tij në “Camp Nou” mbetet e pasigurt. Me një kontratë që skadon në qershor 2026, mesfushori holandez ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane, mes tyre edhe Manchester United, i cili ka dorëzuar një ofertë prej 65 milionë eurosh për ta transferuar atë në merkaton e ardhshme. Lajmin e raporton portali Fichajes.net.
Pavarësisht ofertës joshëse, Barcelona e ka refuzuar atë, duke e konsideruar De Jong si një pjesë kyçe të projektit të saj sportiv. Prioriteti i drejtuesve katalanas është rinovimi i kontratës së tij, për të shmangur rrezikun që lojtari të hyjë në vitin e fundit të kontratës pa një marrëveshje të re, gjë që mund ta lejonte të largohej falas në vitin 2026.
Manchester United, që ka kohë që ndjek mesfushorin holandez, e ka tentuar edhe më parë transferimin e tij në ‘Old Trafford’, por pa sukses. Tani, duke parë situatën financiare ende të brishtë të Barcelonës, “Djajtë e Kuq” shpresojnë ta bindin klubin spanjoll të pranojë një shitje.
Megjithatë, Barcelona mbetet e vendosur për ta mbajtur De Jong, duke e konsideruar thelbësor për balancat e skuadrës. E ardhmja e tij do të varet shumë nga negociatat për rinovimin e kontratës. Nëse në muajt e ardhshëm nuk arrihet një marrëveshje, Barcelona mund të detyrohet të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të dëgjojë oferta të reja, për të shmangur humbjen e tij me parametër zero. Ndërkohë, Manchester United vazhdon të monitorojë situatën, i gatshëm të përfitojë në çdo moment.