Barça triumfon me vuajtje ndaj Sociedadit
“Katalanasit” e Barcelona kanë arritur një fitore me shumë vuajtje, në javën e 12 të kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga, teksa arritën të triumfonin me një gol në “frymën e fundit”, në transfertën “baske” të Real Sociedad.
Goli i vetëm erdhi në sekondat e fundit të saj, teksa në minutën e 94’-t të sfidës, “kollosi” uruguajan i mbrojtjes, Ronald Araujo kërcen më lart se të tjerët, për të çuar me kokë në portë, një krosim perfekt të Ilkay Gundogan, duke i dhënë 3 pikët skuadrës së tij.
Megjithatë, për teknikun Xavi mund të thuhet se kishte edhe një “fitore” tjetër, pasi në fushën e blertë pas dëmtimeve u kthyen “bomberi” polak, Robert Lewandowski, “fantazisti” i mesfushës, Pedri, si dhe anësori brazilian i sulmit, Raphinha mungesa këto tejet të rëndësishme për “blaugranat”.
Ndërkaq, përsa i përket klasifikimit në renditjen e përgjithshme, Barcelona ngjitet në vendin e 3-të të renditjes, me 27 pikë, 2 më shumë “Los Colchoneros” e Atletico Madrid, ndërsa “baskët” e Real Sociedad mbesin në vendin e 6-të të renditjes, me 19 pikë, 1 më pak se Real Betis i vendit të 5-të.