Barcelona dhe Real luajnë për finalen e Superkupës

12 janar 2025 | 15:33

Nuk pritet aspak që të përfundojë si pak muaj më parë.

Përkundrazi parashikimet e specializuara janë që El Klasikon më të famshëm të botës do ta fitojë Reali, ndonëse në “Santiago Bernabeu” Barcelona hodhi valle në La Liga duke triumfuar 4-0.

Sonte në orën 20:00 do të luhet finalja e Superkupës së Spanjës, që do të mbahet në Riad të Arabisë Saudite.

Që nga derbi I kampionatit ka kaluar shumë kohë, dhe nëse Reali e ka marrë veten, katalanasit kanë zbritur në vendin e tretë.

Sidoqoftë, ekipi “blaugrana” arriti një sukses të rëndësishëm në gjysmëfinale ndaj Bilbaos, duke triumfuar 2-0 me golat e shënuar nga Gavi dhe Lamin Jamal.

Për fat, në finale do të kthehen Dani Olmo dhe Pau Viktor që kanë qenë të pezulluar për shkaqe financiare, ndonëse Ronald Arauho është në dyshim pas lajmeve se ai mund të largohet.

Trajneri Hansi Flik që dëshiron trofeun e parë me katalanasit, thekson se fitorja në finale do të ishte jo vetëm e rëndësishme për Superkupën, por edhe do t’i jepte një nxitje të madhe sezonit.

Karlo Ançeloti, ndërkaq, do të ketë në dispozicion Valverden, Çuamenin dhe Belinghamin, edhe pse morën goditje në gjysmëfinalen ndaj Majorkës.

Ajo përballje u fitua me meritë 3-0 me gola të shënuar nga Belingham, Rodrigo dhe një autogol.

Në dyshim Luka Modriç, ndërsa Militao e Karvahal janë të dëmtuar.

Trajneri italian kërkon që yjet e tij të mos bëjnë gabimet e El Klasikos së kampionatit në Madrid.

E përditshmja “Marka” e Madridit ka në kopertinë ata që cilësohen si dy simbole të skuadrave, Vinisius të Realit dhe Lamin Jamal të Barcelonës, ndërsa titullon: Një El Klasiko e pafundme!

Ja edhe përgjigja nga Katalonja, sipas të përditshmes “El Mundo Deportivo”: Më shumë se një El Klasiko, ndërsa fotot janë të trajnerëve Flik dhe Ançeloti.

Reali jepet favorit për të fituar Superkupën, ndonëse jo me diferencë të madhe ndaj pritet një finale e fortë në Arabinë Saudite.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Randal Kolo Muani nuk është ftuar nga PSG, për ndeshjen…