Barcelona i rikthehet fitoreve
Barcelona e ka gjetur rrugën e fitoreve, pas dy humbjeve radhazi.
Katalonasit triumfuan minimalisht 1:0 ndaj Osasunas në shtëpi në ndeshjen e mbetur të javës së 20-të në La Liga.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa Ferran Torres pësoi një lëndim, duke u detyruar të largohet nga fusha. Vendin e tij e zuri Fermin Lopez.
Ishte minuta e 63-të kur pas një asisti perfekt nga Joao Cancelo, Vitor Roque goditi bukur me kokë për golin e parë me fanellën e Barcelonës.
Katër minuta më pas, Garcia u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja.
Megjithatë, Osasuna përkundër që ishte me një lojtar më pak, pati mundësi të mira shënimi.
E mundësi të mira pati me bollëk edhe Barcelona për ta dyfishuar epërsinë, por nuk arriti dot.
Kësisoj, me këtë fitore, Barcelona ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 47 pikë, tetë më pak se Girona që prin momentalisht.
Në anën tjetër, Osasuna mbetet e 12-ta në tabelë me 26 pikë të grumbulluara.