Barcelona kundër Bayernit kërkon kualifikimin

08 dhjetor 2021 | 11:15

Barçës i duhen tri pikët kundër Bayernit për ta siguruar kualifikimin si e dyta në grup, por spanjollët mund të kualifikohen edhe me barazim nëse Benfica nuk arrin fitore në ndeshjen ndaj Dynamo Kyivit. 

Barcelona është ende në garë për ta siguruar kualifikimin në fazën tjetër në Ligën e Kampionëve, por për të arritur një gjë të tillë i duhet ta arrijë fitoren në përballje me Bayern Munchenin.

“Barcelona është në gjendje të shkojë në Munchen dhe të fitojë atje. Ky është objektivi ynë. Fati ynë është në dorën tonë. Do të shkojmë në një nga stadiumet më të vështira në botë, por duam ta japim maksimumin dhe të bëjmë lojën tonë”, ka thënë Xavi, trajneri i Barcelonës.

Skuadrës spanjolle i mjafton edhe barazimi nëse Benfica nuk arrin ta fitojë ndeshjen. Klubi gjerman që drejtohet nga Julian Nagelsmann tashmë e ka siguruar pozitën e parë në grup ku ka arritur 15 pikë në pesë ndeshje, ashtu siç kanë bërë edhe Ajaxi dhe Liverpooli. Bayerni në këtë ndeshje do të jetë pa Joshua Kimmich, Michael Cuisance, Eric Maxim Choupo-Moting, Bouna Sarr, Marcel Sabitzer, Josip Stanisiq, Leon Goretzka dhe Serge Gnabry. Edhe Barcelona ka mungesa për këtë ndeshje shumë të rëndësishme, kurse ato janë Ansu Fati, Martin Braithwaite, Sergio Aguero, Pedri dhe Sergi Roberto.

“Xavi ka pasur mundësinë që të stërvitë për një kohë të gjatë ekipin. Tani mbrojnë më lart se më parë. Kundërsulmi është një armë më e fortë tashmë. Kjo na bën që të jemi më të kujdesshëm dhe të mbulojmë më shumë hapësira. Barcelona ka futbollistë të nivelit botëror. Janë nën presion për klasifikimin dhe duhet të fitojnë. Do të japin gjithçka ndaj nesh. Nuk vlen për kualifikimin, por vetëm 3 pikë për ne. E shoh Barcelonën si një nga kandidatet për triumfin final, ndaj do të luajmë më mirë”, ka thënë Julian Nagelsmann, trajner i Bayernit.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Benfica nuk pritet të ketë telashe kundër Dynamo Kyivit ku synon tri pikët dhe, në anën tjetër, do ta presë gabimin e Barcelonës. Në grupin F, gjithashtu do të zhvillohet një superndeshje ku Atalanta e pret Villarrealin. Italianëve u duhen tri pikët për ta siguruar kualifikimin, ndërsa spanjollëve u mjafton edhe barazimi.

Nga ky grup i pari kualifikohet Manchester Unitedi. Në grupin G të gjitha skuadrat i kanë shanset për kualifikim, kurse përballen Salzburg-Sevilla dhe Wolfsburg-Lille. Në grupin H kualifikimin e kanë siguruar Chelsea dhe Juventusi, kurse në Ligën e Evropës pritet të shkojë skuadra e Zenitit.

Formacionet e mundshme:

Bayern Munchen: Neuer; Pavard, Sule, Nianzou, Richards; Roca, Tolisso; Sane, Muller, Musiala; Lewandowski.

Barcelona: Ter Stegen; Dest, Araujo, Pique, Alba; Gonzalez, Busquets, De Jong; Dembele, Depay, Coutinho.

Grupi E

21:00 Bayern Munchen – Barcelona
21:00 Benfica – Dynamo Kyiv

Tabela

 

  1. Bayern Munchen       5   15 pikë
  2. Barcelona                    5    7
  3. Benfica                         5    5
  4. Dynamo Kyiv              5    1

Grupi F

21:00 Atalanta – Villarreal
21:00 Manchester United – Young Boys

Tabela

  1. Manchester United    5   10 pikë
  2. Villarreal                      5     7
  3. Atalanta                        5     6
  4. Young Boys                  5    4

Grupi G

21:00 Salzburg – Sevilla
21:00 Wolfsburg – Lille

Tabela

  1. Lille                              5   8 pikë
  2. Salzburg                      5   7
  3. Sevilla                          5   6
  4. Wolfsburg                   5   5

Grupi H

18:45 Juventus – Malmo
18:45 Zenit – Chelsea

Tabela

  1. Chelsea 5 12 pikë
  2. Juventus 5 12
  3. Zenit 5 4
  4. Malmo 5 1

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti, ka kritikuar…