Barcelona ua ndalon turistëve të marrin me qira apartamente
Barcelona njoftoi sot se do t’ia ndalojë turistëve që vizitojnë qytetin të marrin apartamente me qira deri në vitin 2028, me çka dëshiron të frenojë rritjen e kostove të banesave dhe t’u mundësojë qytetarëve të jetojnë në qytetin e tyre.
Kryebashkiaku i qytetit, Jaume Collboni, tha se deri në nëntor të vitit 2028, Barcelona do të revokojë licencat e 10101 apartamenteve që kishin të drejt për qira afatshkurtra.
“Ne po trajtojmë atë që ne e konsiderojmë si problemin më të madh të Barcelonës”, tha Collboni në një ngjarje të qeverisë së qytetit.
Bumi afatshkurtër i qirave në Barcelonë, qyteti më i vizituar i Spanjës, i ka lënë disa qytetarë të paaftë për të përballuar qiranë pasi qiratë janë rritur 68 për qind në 10 vitet e fundit dhe çmimet e pronave janë rritur 38 për qind, tha ai. Qasja në strehim është bërë një nxitës i pabarazisë, veçanërisht për të rinjtë, shtoi ai.
Në dhjetë vitet e fundit, autoritetet lokale kanë vendosur kufizime për qiratë afatshkurtra në Ishujt Kanarie, Lisbonë dhe Berlin, raporton bbc.
Shoqata e Hoteleve të Barcelonës nuk ka dashur të komentojë lajmin. “Ato 10 mijë banesa do të shfrytëzohen nga qytetarët ose do të përfundojnë në treg me qira apo shitje”, tha kryebashkiaku.
Autoritetet lokale kanë njoftuar inspektime të rrepta sapo ndalimi të hyjë në fuqi.
Vitet e fundit, regjistrimi i apartamenteve të reja turistike nuk është lejuar në Barcelonë. Që nga viti 2016, pushteti vendor ka urdhëruar mbylljen e 9700 banesave turistike të paligjshme dhe gati 3500 apartamente po ripërdoren nga qytetarët për banim.