Bardhekaltrit sërish fitojnë në përballje dramatike

28 dhjetor 2023 | 09:56

Sigal Prishtina po vazhdon me formë të lartë në elitën e basketbollit. Bardhekaltrit në një sfidë dramatike kanë mundur Proton Cable Prizrenin 74:71 (17:18, 24:20, 10:14, 23:19).

Takimi u zhvillua në kuadër të javës së 15-të të Prince Caffe Superligës.

Çereku i parë u karakterizua me rikthime, ku herë njëra skuadër kalonte në epërsi e herë tjetra, duke përfunduar 17:18 për mysafirët. Edhe periudha e dytë ishte e ngjashme, ku asnjëra nuk arrinte shkëputjen dhe pjesa e parë përfundoi 41:38.

Edhe perioda e tretë ishte e baraspeshuar, por kjo pjesë u karakterizua me më shumë gabime, duke bërë që të shënoheshin më pak pikë (10:14), ku shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 51:52. Kjo bëri që sfida të vendoset në dhjetë minutat e fundit që ishin mjaft dramatik, ku fituesi nuk është ditur deri në sekondën e fundit, por bardhekaltrit ishin më të vëmendshëm, sidomos Henrik Sirko me dy trepikësha për kryeqytetasit, kurse prizrenasit kishin mundësi të barazonin në fund, por gjuajtja nga Arti Hajdari nuk ishte e saktë dhe sfida përfundoi 74:71.

Te vendasit u dalluan Malcolm Armstead me 21 pikë e shtatë asistime dhe Fisnik Rugova me 16 pikë e gjashtë kërcime, kurse te mysafirët më i miri ishte Isaiah Kelly me 30 pikë e 16 kërcime.

Prishtinasit kanë dhjetë fitore e pesë humbje, ndërsa prizrenasit pesë fitore e dhjetë humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është arrestuar një person në Gjakovë pasi ka shtënë me…