BARDHËSI DHE DRITË NËPËR SFIDA

14 korrik 2018 | 12:30

Shkruan: Imer Pantina (Redaktor i librit)

(Habib Zogaj, Dy plisbardhët, Monografi, Shoqata Kulturore Jehona e Dukagjinit në Klinë. Botuar në Prishtinë, korrik 2018)

Sistemin e sjelljes qytetare rëndom e ndërtojnë (sistemojnë) elitat udhëheqëse shoqërore dhe akademitë intelektuale dhe pedagogjike që i vë në funksion një shoqëri e organizuar. Kur kjo ecën mbarë, atëherë mund të dëshmojmë se nga të tilla konstrukte kanë evolouar deri në krijimin e dinastive perandorake, deri tek shpërthimet teknologjike që herë-herë kanë zhvilluar qytetërime, e jo rrallë edhe kanë rrënuar të tilla. Të jesh pjesës e sistemit të lokomotivës që ka sistemin të të udhëheqë drejt një ideologjie të caktuar, mund të jesh njëri nga emrat që mbetesh i shënuar në analet e sistemit. Por, sistemet ideologjike jo rrallë janë ngritur (Janë quar peshë,-do të thonin pleqnarët tonë) edhe kundër vlerave të një populli të caktuar, për ta mbisunduar (shfrytëzuar) dhe asimiluar me të gjitha mjetet e mundshme, duke mos i kursyer edhe ato të vrasjes. E tërë kjo sepse një sistem që nuk buron nga vlerat morale-njerëzore, të cilat janë të natyrshme për çdo shoqëri, doemos i duhet të përballet me mendjet më të ndritura, të atyre mendjeve që kanë arritur standardin moral për të mos qenë shërbëtorë të së keqës.

Kështu, në këtë libër biografik, autori Habib Zogaj  ka sjellur rrëfenjën për dy protagonistë (Dy plisbardhët siç i quan ai) të cilët rrugëtuan aq natyrshëm në mjedisin e tyre, fshatin dhe rrethin e tyre, shpeshherë të mbuluar me turbulenca të vështirëjetueshme që kishte imponuar sistemi shtetëror shtypës, por edhe ambient i ngurtë provincial të cilin sistemi shtypës ishte munduar ta linte në injorancë, ose mbase ta asimilonte tërësisht.

Shaban Morina, i njohur në rrethin e tij si Shaban Loshi, personaliteti i cili njihet për rezistencë ndaj pushtuesit serb me tërë familjen e tij, dhe, Haradin Morina, i njohur si Haradin Ajeti, i cili me mençurinë dhe fisnikërinë e tij u bë shembull i njeriut paqësor dhe atdhedashës. Janë të dy këto figura që autori na i shpërfaq aq natyrshëm, përmes rrëfimeve të të njohurve të tyre, madje, në shumë vende përmes ligjëratës së drejtë, duke ruajtur të folmen dialektore dhe natyrshmërinë rrëfimtare gojore, që gjallojnë në tekst me shumë tipare nga jeta e tyre.

Tradita shqiptare, ruajtja e gjenezës kombëtare, moralit, besës, mënyrës së jetesës të njeriut shqiptar i cili ka bazament familjen e shëndoshë dhe të ndershme, janë tiparet e të dy protagonistëve të librit që autori i vë në pah. Por kjo mënyrë jetese ishte e penguar nga sistemi Jugosllav i cili synonte që komunizmin ta bënte kombëtari dhe atdhedashuri dhe serbët, si ideatorët e privilegjuar të sistemit.

Andaj, në këtë vijë në këtë libër do të gjejmë rrëfimet për situatat kur pushteti kidnapon njërin nga djemtë e Shaban Loshit, burgos të gjithë djemtë e tij, malterton deri në dëmtime serioze shëndetësore dhe lë gjurmë vuajtjeje vetëm e vetëm se mbronin të drejtën e popullit të tyre. Shaban Loshi në këtë rrëfim na shpërfaqet vetëm me disa nga peripecitë e tij, ndërsa, odiseada e tërë asaj që ka përjetuar ky protagonist, është pothuajse e pamundur të rrëfehet. Autori e vë theksin e veçantë tek rezistenca patriotike e tij teksa thekson:

Vitet ’80-ta, Shabanin e gjejnë të pjekur, prind, me fëmijë të rritur, të gjallë, që nuk pajtohen me regjimin, kryengritës kryesisht, protestues. Kryengritës….po por nuk e ka gjet edhe aq të pa përgatitur… se ai vet ka qenë natyrë protestuese ndaj padrejtësive që kanë ndodhur në atë kohë e që kanë pasur të bëjnë me marrëdhëniet sociale-shoqërore dhe padrejtësi të shumta të ndodhura. (Dy plisbardhët, f. 89)

Po, në libër nuk mungojnë edhe aspekte tjera të kësaj figure siç është përpjekja e tij në emancipimin e femrës, i cili ishte ndër të parët që kishte shkolluar vajzën (për çka kundërshtohet nga kodet zakonore të asaj kohe), pastaj, arti mjeshtëror i tij në gurgdhendje (ku vëhet në pah shija e tij për art arkitektonik, e shprehur në mënyrë inovative në mjedisin e ndërtimtarisë, ku vet ishte arkitekt e vet murator), mprehtësia e fjalës dhe urtësia e sjelljes, vendosmëria dhe mosnënshtrimi para sfidave menagjimi familjar dhe shumë aspekte tjera sociale dhe morale të tij. Një vend të veçantë në libër zë edhe rrëfimi i Haki Morinës, djalit të Shaban Loshit, i njohur si figurë kombëtare dhe i dënuar disa herë me burgim, ku në këtë rast autori na ka dhënë një relacion interesant, prekës dhe tejet lirik në përshkrim, realist dhe tejet emocional që përmes kësaj paraqitet ajo drama e madhe njerëzore dhe dashuria e njeriut e lidhur me atdheun, si lidhje që shkon gjer në sakrificë sublime, ku në libër konkludohet: “Asnjëherë nuk ka pranuar me u diferencuar nga veprimtaria e fëmijëve të vet.”

Haradin Ajeti na vjen në këtë libër si protagonist i cili kishte një mençuri dhe oratori të rrallë, fliste fjalë të peshuara mirë. Prania e tij në oda burrash ishte prani e institucionit i cili ligj ekzekutiv kishte fjalën e urtë, të ekzekutuar me mençuri, durim e drejtësi. Kishte peshë kjo fjalë sepse burimin e kishte aq të pastër, madje po aq sa është e pastër gjeneza kombëtare. Kështu, fjala e tij paraqitet në libër si fjalë me plot porosi për pajtueshmëri, atdhetari dhe dashuri ndaj moralit njerëzor. “Haradin Morina ka pas trung pra. Ka pas themel dhe traditë për mençuri e për trimëri.”, citohet një rrëfimtar në këtë libër.

Aspekte tjera që autori vë në pah për këtë figurë të dijes dhe urtësisë, është edhe mjeshtëria e tij prej artisti. Kështu autori na tregon se ai ishte një artist që këndonte rapsodi dhe i binte veglave muzikore. Kështu autori citon vëllaun e protagonistit i cili shprehet:

Haradini ka qenë edhe një rapsod i mirë. Iu ka ra thuaja të gjitha veglave që përdoreshin në odë të burrave, por me prim  (karadyzen) ka qenë i dalluar. Ka kënduar, i ka ra sharkisë e çiftelisë por për prim qift nuk ka pas. (Dy plisbardhët, f. 100)

Ndërsa, një rrëfimtar tjetër që autori i librit citon, thotë:

Ai edhe kur ka pushuar, nuk ka pushuar por ka menduar, ka përsiat, ka bërë analiza me trurin e tij. Në odë të Haradin Ajetit është pirë kafeja, është tjerr e tëholluar biseda. Në odën e tij, në oxhakun e odës edhe në gusht, ke gjet gacë me e kall cigaren. (Dy plisbardhët, f. 161)

Tipari i kombëtarisë eshtë pothuajse ajo pista prej nga ngritet njeriu i kohës së Haradin Ajetit për në nivele tjera. Kështu, autori na rrëfen këto tipare të tij duke përcjellur mendimtarinë e tij për lirinë, për të cilët thotë se Haradini kishte besim se do vinte, por, që “angazhimi e përkushtimi ishin domosdoshmëri”. Dhe, më në fund këtë e kishte dëshmuar edhe në luftën e fundit me flijimin e të birit, Sinan Morina, që tashmë është dëshmor i kombit.

Libri na shpërfaq një mjedis të gjallë, me ngjyrime të thella nga ambienti i kohës, duke i shenjuar vlerat tradicionale të saj të parë nga këndvështrimi i dy figurave (Dy plisbardhëve), i dy protagonistëve të cilët kanë arritur të bëhen shembëlltyrë e sakrificës, durimit, mençurisë, atdhetarisë dhe me të gjitha këto vlera, si kryevlera sublime, këta bartin mbi supet e tyre modelin e njeriut shqiptar që i mbijeton tjetërsimit, që sfidojnë asimilimin duke u përballur me sfidat e një kohe të vështirë.

Libri ka një harmoni të tillë bashkëbisedimi mes autorit dhe rrëfimtarëve që dokumentojnë biografitë dhe që duket origjinale, që përqon ngjyrimet dialektore të bisedës, të shpërfaqura në shumicën e rasteve në ligjëratën e drejtë, me një rrjedhje të natyrshme  të bisedës, të bashkëbisedimit. Madje, do thosha se autori Habib Zogaj ka bërë një përshkrim real, idilik, që tingëllon sikur rrëfenjat e baladave, që kapin majat e ngjarjeve kryesore për t’u lexuar pastaj ngjarjet tjera, të pathëna, madje të pamundura për t’u përshkruar nga fjalët, në emocionet që na lënë të thelluar në atë mjedis ndjesish, atë mjedis reliktesk, atë mjedis ku secili lexues hulumton atë që shkëlqen në rrugëtimin e kombit të tij.

Libri na jep edhe një kontribut në aspektin e etnolinguistikës. Nxjerr në pah disa fjalë të vjetra, të cilët bashkëbiseduesit i rrëfejnë në konotacion me protagonistët e veprës, dhe, në vetvete këto fjalë, të cilat tashmë veçse janë jashtë përdorimit të gjuhës së folur dhe asaj të shkruar, përbëjnë një thesar që vjen nga dialekti dhe, që, mbase, konkludoj se ndonjë studiues gjuhe mund t’i vërë në shërbim në dimensione tjera folëse dhe shkruese një të ardhme. Janë këto fjalët të vjelura nga gjuha e gjallë e popullit, nga ajo e përdorimit të përditshëm, terminologji që mbështet emërtimin e një teknologjie të kohës, si emërtimet e punimeve të drurit si: kokën e rrotës, kutatë, spicat, pishlakët, sjetullatë e qerres, pragun, jastëkun, aksin (osin), kamzatë (stupcat). Pastaj, emërtimi: verigu, që është emërtim për një pjesë hekuri i cili ishte i vendosur në oxhak për të mbajtur kazanin e ujit që duhej vluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme është…