“Bardhësitë e atdheut”, informacion i domosdoshëm për krejt atdheun tonë
Mr. Sc. Ph.D(c). Kemail Shaqiri
Afrim Mustafa ishte dhe mbetet i përkushtuar që të vërtetën e luftërave të UÇK-së ta çojë deri në fund. Ai qysh në ditët e hershme u kyç në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si gazetar, por edhe me pushkë në dorë. Si zakonisht, vendi i parë ku ai u shfaq ishte Prekazi heroik i Adem Jasharit dhe Drenica heroike, për ta vazhduar pastaj gjithandej Kosovës, kudo që kishte nevojë për ta zbardhur të vërtetën mbi luftën e UÇK-së.
Nëpër shumë vende, Afrimi ishte nëpër vijat e frontit, duke raportuar për luftimet e njësiteve të UÇK-së. Por, ai, kur e kërkonte nevoja, ishte edhe në vijën e parë të frontit si ushtar, në të njëjtën kohë edhe reporter i ngjarjeve luftarake. Sot z. Mustafa na ka dhuruar një vepër të çmuar dhe të lavdishme, “Bardhësitë e atdheut”, e cila është pasuri shumë e veçantë për çdo shqiptar në trojet shqiptare.
Shumë herë flitet që informacioni është “Arma” më e fortë që disponon një institucion, apo strukturë e krijuar dhe e cila doemos duhet të funksionojë sipas nevojave dhe kërkesave të kohës dhe, karshi situatave të cilat shfaqën në përditshmërinë e jetës sonë shoqërore, qofshin ato si të rregullta apo edhe fenomene të cilave duhet t’u përgjigjemi. Prandaj, informacioni është aq i rëndësishëm sa edhe vetë ekzistenca e njeriut për të krijuar diçka të nevojshme dhe në hap me kohën, e cila nganjëherë edhe na imponon situatat e vështira dhe me plot sfida.
Nga sfidat më të cilat populli shqiptar është ballafaquar historikisht, është vështirë për të dalluar se cilat kanë qenë më të vështira, duke mos u dalluar shumë njëra nga tjetra. Një nga këto sfida të kohës moderne të fundshekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI ishin luftërat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe asaj e UÇPMB-së, pra në Maqedoninë Veriore dhe Kosovën Lindore dhe përcjellja e tyre në mënyrë permanente. Me këtë sfidë të veçantë u përball edhe intelektuali i përmasave të rralla, i cili raportimet dhe veprimtarinë luftarake dhe atdhetare e kurorëzoi edhe me nxjerrjen në dritë të një kapitali shumë të veçantë e të rëndësishëm.
Për t’u përballur me këtë sfidë është dashur që të kesh: vullnet, guxim dhe të jesh atdhetar. Por, dikush ka këto tipare dhe i përvishet punës pa u frikësuar nga rreziqet. Një nga personalitetet e gazetarisë dhe të informacionit është gazetari dhe reporteri i luftërave, Afrim Mustafa. Një veprimtar i sakrificës, përkushtimit, i cili, përveç fjalës së lirë, objektive, me rëndësi të cilën e transmetoi gjithandej shqiptarisë dhe më gjerë, nga ai jehoi edhe gryka e pushkës, duke mos u ndalur deri në lirinë e trojeve tona. Kështu, u arrit sensibilizimi i çështjes së Kosovës edhe në botën demokratike, që shqiptarët e duan lirinë, e duan fjalën e lirë dhe që mos të jenë të huaj në shtëpinë e tyre, duke vuajtur nën robërimin e pushtuesve nëpër të gjitha fazat e historisë.
Afrimi ishte dhe mbetet i përkushtuar që të vërtetën ta çojë deri në fund. Ai qysh në ditët e hershme u kyç në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si gazetar por, edhe me pushkë në dorë. Si zakonisht, vendi i parë ku ai u shfaq ishte Prekazi heroik i Adem Jasharit dhe Drenica heroike, për ta vazhduar pastaj gjithandej Kosovës, kudo që kishte nevojë për ta zbardhur të vërtetën mbi luftën e UÇK-së. Afrim Mustafa ishte nëpër disa vija të frontit, duke raportuar për veprimet luftarake të njësiteve të UÇK-së. Por, ai, kur nevoja e kërkonte, ishte edhe në vijën e parë të frontit, tashmë i si ushtar i lirisë, në të njëjtën kohë edhe reporter i ngjarjeve luftarake.
“Bardhësitë e atdheut” duhet ta ketë çdo familje shqiptare
Gazetaria dhe puna e reporterit luftarak është punë që kërkon përkushtim dhe guxim prej gazetarit prandaj nuk ishte punë e lehtë që Afrimi e kryente, karshi luftës dhe betejave që zhvilloheshin me forcat e armikut sepse ai kishte obligim edhe ta njoftonte opinionin dhe popullatën për ngjarjet dhe ndodhitë në vijat e frontit. Këtë detyrë shtesë Afrimi si çdoherë e kryen me përpikëri dhe nuk ndiente as lodhje e as frikë, edhe pse ishte në moshë të re, por ia arriti që me shumë sukses t’i përmbyllë të gjitha detyrat e një reporteri, që nuk ishte aspak e lehtë.
Afrimi përcolli të gjitha luftërat që ndodhën në Kosovë, Maqedoni dhe në Kosovën Lindore. Për këtë ai hartoi, punoi dhe botoi me shumë sukses librin “Bardhësitë e atdheut”, me 1 841 faqe e me gjithsej 17 200 fotografi nga vijat e frontit dhe të popullatës në arenën e të tri luftërave. Prandaj, me arsye të plotë ky libër quhet enciklopedi që deri sot asnjëherë përpara nuk e ka parë tregun e shkrimit, por edhe shkencës mbi shpjegimin dhe përshkrimin e luftërave me foto, fjalë dhe fakte.
Shumë personalitete shtetërore dhe institucione të tjera janë të njoftuar për këtë enciklopedi, e cila është e pëlqyer nga të gjithë, pasi është bërë një punë kolosale përplot 20- vjeçare për ta parë dritën e bardhë. Ky libër, pra kjo enciklopedi e veçantë, për çdo lexues dhe adhurues të librit ia vlen të vendoset në bibliotekat personale, në shtëpitë tona dhe në institucionet tona.
Jam i sigurt se shumëkujt kjo vepër madhore do t’i shërbejë edhe për temë magjistrature e doktoraturë dhe për arritjet shkencore t’i bëjmë drejtpërdrejt përmes kësaj enciklopedie me emrin dhe me përmbajtjen më të veçantë, “Bardhësitë e atdheut”. Unë si ushtarak i karrierës dhe njohës prej eksperti i luftërave dhe doktrinës ushtarake do t’ia rekomandoja çdo personi, por edhe institucioni.
Dortmund, 25 prill 2019
(Autori ka qenë ish-epror i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës)