Bardhi do të largohet nga Trabzonspori
Mesfushori Enis Bardhi do të largohet muajin tjetër nga skuadra e Trabzonsporit, por do të mbetet në Superligën e Turqisë.
Bëhet e ditur se Bardhi sipas të gjitha gjasave do t’i bashkohet Hataysporit, ekip që është favorit për transferimin e tij.
Te Tranzonspori nuk llogaritin në Bardhin, të cilin e kanë lënë jashtë ekipit dhe 29-vjeçari tashmë ka njoftuar klubin për vendimin e tij.
Ai ka kontratë me Trabzonsporin deri në fund të këtij sezoni me opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër, ndërsa nuk është përfshirë fare në ekip në shtatë ndeshjet e fundit kampionale. Bardhi është në negociata për ta shkëputur kontratën para kohe me Trabzonsporin, pjesë e të cilit është prej vitit 2022 kur iu bashkua nga Levante.
Këtë sezon, ai ka regjistruar 13 paraqitje dhe ka një asistim në të gjitha garat, ndërsa krahas Hataysporit interesim për Bardhin ka shfaqur edhe një ekip nga Kroacia.