Bardhi: Këto miqësore do të na shërbejnë për Ligën e Kombeve
Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll nesër do të luaj ndeshjen e parë kontrolluese ndaj Moldavisë në Antalia të Turqisë.
Para kësaj sfide në një konferencë shtypi ka folur kapiteni i Maqedonisë, Enis Bardhi, i cili ka thënë se këto dy ndeshje miqësore do t’iu shërbejnë si përgatitje për Ligën e Kombeve.
“Jemi grumbulluar pas disa muajve pauzë në përfaqësuese. Besoj se jemi të gatshëm dhe mendoj që këtë herë shumica e lojtarëve kanë më shumë minutazhë në ekipet e tyre. Forma e djemve besoj që është ne një nivel fizikisht pak më të lartë dhe jemi përgatitur që ta shohim veten në këto dy miqësore, të cilat do të na shërbejnë për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve dhe të përgatitemi për ato sfida, që janë të rëndësishme për neve dhe të japim maksimumin”, ka thënë Bardhi.
Dueli ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Moldavisë do të zhvillohet nesër në stadium “Mardan” të Antalias, duke nisur nga ora 15:30.
Maqedonia nuk do të ketë në dispozicion vetëm Stefan Ashkovskin, i cili edhe pse është i grumbulluar në Antalia, për shkak lëndimit nuk do të mund të luaj, përderisa të gjithë futbollistët tjerë janë në dispozicion të seleksionuesit, Bllagoja Milevski për ndeshjen e nesërme.