Bardhyl Mahmuti: Dyfytyrësia e disa diplomatëve evropianë nuk ka të ndalur!
Politologu Bardhyl Mahmuti, ka reaguar ndaj deklaratës se shefes së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, e cila në një tryezë të organizuar dje nga instituti “Epik”, ka thënë se taksa ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina nuk është vetëm shkelje e CEFTA-s, por edhe kundër frymës së MSA-së”.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se qëndrime të ngjashme si të Apostolovës në vazhdimësi kanë paraqitur edhe drejtuesit kryesor të BE-së.
“Përfaqësuesit e tillë të njëanshëm të BE-së nuk kanë asnjë kredibilitet te qytetarët e Kosovës. Përkundrazi! Qëndrimet e tyre janë neveritëse dhe kanë efekte të kundërta”, ka shkruar Mahmuti.
Postimi i plotë i Mahmutit:
Dyfytyrësia e disa diplomatëve evropian nuk ka të ndalur!
Në tryezën e organizuar nga instituti “Epik” përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova deklaroi se “taksa ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina nuk është vetëm shkelje e CEFTA-s, por edhe kundër frymës së MSA-së”.
Qëndrime të ngjashme përsërisin vazhdimisht edhe Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe Federica Mogherini,Përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe politikë të sigurisë.
Ata që asnjëherë nuk e ngritën zërin kundër politikës destruktive të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk kanë të drejtë morale që të gjykojnë për vendimet e institucioneve të Kosovës karshi politikës së Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Para se të flasin nëse janë në harmoni me “frymën evropianë” vendimet e Qeverisë së Kosovës, Federica Mogherini, Johannes Hahni, Nataliya Apostolova dhe të tjerët si këta le të deklarohen publikisht se sa është në harmoni vlerat evropiane vendimi i BE-së që mban Kosovën të izoluar si Ghetto evropiane të shekullit XXI, edhe pse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura prej BE-së.
Përfaqësuesit e tillë të njëanshëm të BE-së nuk kanë asnjë kredibilitet te qytetarët e Kosovës. Përkundrazi! Qëndrimet e tyre janë neveritëse dhe kanë efekte të kundërta.
Është koha që institucionet e BE-së të veprojnë në përputhje me vlerat dhe parimet universale për lirinë e qarkullimit të lirë të njerëzve edhe për qytetarët e Kosovës dhe të ndërpresin funksionimin në përputhje me logjikën e matjes me dy kute.
/Epoka e re/