Bardhyl Mahmuti: Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që nuk vjetërsohen kurrë
Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti, ka folur për riktualizimin e temës për krijimin e një tribunali që do të gjykonte dhe ndëshkonte krimet serbe të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Këtë reagim të tij e ka nxitur deklarimi i prokurores speciale, Drita Hajdari, e cila ka thënë se përderisa nuk i kapin dot personat e dyshuar për krime lufte, nuk mund të ngrihen dot aktakuza.
Ai thotë se ligjeve përmes të cilave funksionin sistemi i drejtësisë në Kosovë janë absurde.
Mahmuti thotë se për t’iu ngritur aktakuza të dyshuarve për krime lufte mund të shfrytëzohen raportet e shumta të cilat janë hartuar nga ndërkombëtarët, siç është ai finlandez për masakrën e Reçakut.
“Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që nuk vjetërsohen kurrë dhe këto krime kërkojnë qasje serioze dhe kurrsesi “trajtim të shpejtë”. Për këtë arsye mendimet rreth asaj nëse iniciativa e Kadri Veselit është e vonuar apo në kohë të duhur zhvendosin problemin në një rrafsh të panevojshëm”, ka shkruar Mahmuti.
Shkrimi i plotë i Bardhyl Mahmutit:
Goran Radosavljeviq – Guri:“Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve”!
Në kohën kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli ka aktualizuar domosdoshmërinë e ndëshkimit të atyre që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovës dhe në prag të miratimit nga Kuvendi i Kosovës i një rezolute për gjenocidin serb në Kosovë, gjithnjë e më tepër dëgjohen prononcime rreth asaj nëse jemi vonuar me këtë iniciativë.
Ajo që më bëri të reagoj në këtë rast ka të bëjë me deklaratën e Drita Hajdarit, prokurore në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në intervistën dhënë TV Kohavizion më 6 maj 2019 lidhur me bartjen e kompetencave nga ndërkombëtarët te vendorët për të gjykuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, prokurorja Hajdari nxjerr në shesh absurditetin e aspektit normativ që ka Kosova. Në bazë të ligjeve të Kosovës “përderisa nuk zihen personat e dyshuar për krime dhe nuk intervistohen për dyshimet që ka hetuesia, ndaj tyre nuk mund të krihen aktakuza”!!!
Ligje më të papërgjegjshme nuk mund të formulojë asnjë jurist kompetent në fushën e vet. Sipas kësaj logjike, Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë në Hagë nuk është dashur të përpilojnë aktakuza as kundër Radovan Karaxhiqit, as kundër Ratko Mlladiqit dhe as kundër Sllobodan Millosheviqit, Nebojsha Pavkoviqit, Sreten Lukiqit, Vladimir Lazareviqit dhe kriminelëve tjerë “para se t’i gjenin dhe t’i intervistonin për dyshimet që kishin” prokurorët e Hagës.
Krahas absurditetit të ligjeve të Kosovës kur kemi të bëjmë me këtë aspekt të çështjes, deklarata e prokurores Hajdari, se “për mbledhjen e provave dhe dëshmive në terren duhet një trajtim i shpejtë” nën arsyetimin se “koha punon kundër nesh”, është një deklaratë tërësisht absurde për rastet në fjalë.
Vetëm ata që nuk e njohin natyrën e krimeve që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë mund të kërkojnë përshpejtimin e procesit “për të shfrytëzuar edhe memorien e dëshmitarëve por edhe moshën e tyre”.
Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që nuk vjetërsohen kurrë dhe këto krime kërkojnë qasje serioze dhe kurrsesi “trajtim të shpejtë”. Për këtë arsye mendimet rreth asaj nëse iniciativa e Kadri Veselit është e vonuar apo në kohë të duhur zhvendosin problemin në një rrafsh të panevojshëm.
Meqenëse në intervistën e lartpërmendur u veçua Masakra e Reçakut, po kufizohem vetëm në këtë rast. Vrasja e civilëve në fshatin Reçak përbën një akt gjenocidar, që është trajtuar hollësisht.
Në funksion të ndriçimit të plotë të këtij krimi, Bashkimi Evropian ngarkoi një ekip të Mjekësisë Ligjore nga Finlanda. Ky ekip udhëhiqej nga Helena Ranta dhe në kuadër të tij ishin edhe Antti Pentilla, Kaisa Lalu, Juha Rainio, personeli teknik, tekniku i kriminalistikës, fotografë etj.
Pas përfundimit të punës, shefja e ekipit të Mjekësisë Ligjore finlandeze, Helena Ranta, deklaroi: “Me autopsinë e trupave, me gëzhojat që u gjetën në vendin e krimit, me hulumtimet në përrua, ku çdo centimetër e tokës së tij është përshkuar me lopatë, me lugë dhe me detektor metalesh (…) Çështja e Reçakut është tema e shoshitur më së miri në historinë e Gjykatës së Hagës”.
Është tragjike intervista e njërit nga viktimat e mbijetuar të krimit të gjenocidit në Reçak i cili deklaron se nuk do të ishte në gjendje të identifikonte kriminelët për shkak se kanë kaluar shumë kohë nga ajo periudhë.
Është tragjike për arsye se krimet gjatë luftës në Kosovë janë bërë nga shteti i Serbisë e jo nga individë që veprojnë krye në vete. Dihet fare mirë se komandanti i aksionit policor në Reça kishte gjenerali i policisë serbe Goran Radosavljeviq- Guri.
Madje kur u pyet nga gazetari i gazetës serbe “Blic” se si ishte e mundur që një bashkëpunëtor i ngushtë i Nebojsha Pavkoviqit, SretenLukiqit dheVladimir Lazareviqit,që kishin përfunduar nëHagë për krimet e bëra në Kosovë, ende nuk ishte arrestuar,Goran Radosavljeviq- Guri pohoi publikisht: “Lukiqi dhe Pavkoviqi janë në Hagë për shkak të përgjegjësive komanduese. Ata nuk kanë mundur ta dinë se cilët janë autorët e vrasjeve! Unë në Kosovë kam qenë zëvendës i Sreten Lukiqit dhe funksioni më ka shpëtuar nga Haga”.
Pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, për meritat që kishte në luftën kundër shqiptarëve në Kosovë, Goran Radosavljeviq- Guri u emërua komandant i Qendrës Mësimore të Forcave Speciale të Policisë së Serbisë në Petrovo Selo. Kjo qendër ishte njëra nga qendrat më të njohura për trajnime të forcave speciale të Policisë së Serbisë.
Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe të bërë në kohën e kryeministrit Zoran Gjingjiq në qershor të vitit 2001, në dy varrezat masive që u zbuluan në Petrovo Selo u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, (mbytja me torturë), kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur”. Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).
Kjo ekspertizë dëshmoi se Goran Radosavljeviq-Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.
Për t’i ikur përgjegjësisë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Goran Radosavljeviq- Guri iku në Libi, dhe atje u angazhua të trajnonte forcat speciale të Mouammar Khadhafit.
Shpërthimi i revoltës që njihet si “Pranvera arabe” e detyroi Goran Radosavljeviq- Gurin që të kthehej nga Libia në Serbi. Në vend të arrestimit për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe në Qendrën Petrovo Sello ai u prit si hero! Nga ofertat e shumta, ai zgjodhi të bëhej anëtar i Komitetit që kryeson Partinë Përparimtare Serbe, të kryesuar në atë kohë nga Alеksandar Vuçiqi.
Nëse dikur funksioni e ka shpëtuar Goran Radosavljeviq- Gurin nga përgjegjësia për krimet e bëra në Reçak, ndërsa ikja në Libi për t’iu shmangur ballafaqimit me drejtësinë për krimet në Qendrën Petrovo Sello, sot kërkohen hetues dhe prokurorë kompetent për të ngritur akuza kundër kriminelëve që ishin në zinxhirin komandues gjatë luftës në Kosovë.
Për rastin e aktit të gjenocidit në fshatin Reçak aktakuza duhet të mbështet në raportin e ekipit të Mjekësisë Ligjore nga Finlanda, në deklaratat e dëshmitarëve dhënë hetuesisë së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në deklaratat publike të Goran Radosavljeviq- Gurit.
Për nxitje të urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, të diskriminimit dhe të armiqësive kundër shqiptarëve me çka u krijuan parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale pas Luftës së Dytë Botërore, Prokuroria Speciale duhet të ngrejë aktakuzë kundër MilovanDracunit, ish-gazetarit të Radio Televizionit të Beogradit, të cilin, për “meritat e mëdha në luftën e Kosovës” u dekorua nga gjeneralkoloneli Nebojsha Pavkoviqi (i dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krimet në Kosovë).
Rikujtoj se më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të “Radio Televizionit të Beogradit”, të “Radio Televizionit të Novi Sadit” si dhe kundër gazetarëve të gazetave “Politika”, “Večernje Novosti” dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracunin, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë.
Jo vetëm që Milovan Dracuni nuk pësoi asgjë për implikimin e tij në nxitjen e kryerjes së krimeve të gjenocidit në Kosovë, por përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Sikurse edhe Goran Radosavljeviq-Guri, Milovan Dracuni u anëtarësua në Partinë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit dhe sot e kësaj dite ushtron funksionin e kryetarit të Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovën.
Një aktakuzë e veçantë që lidhet me përpjekjet për të fshehur gjurmët e aktit gjenocidar në Reçak duhet të përpilohet kundër Danica Marinkoviqit,gjykatëses hetuese të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ekipit serb të Mjekësisë Ligjore të përbërë nga dr. Sllavisha Dobriçanin, shefi i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, që u emërua në këtë funksion pas dëbimit të profesorëve dhe të studentëve shqiptarë nga ky institut; dr. Vujadin Otasheviq, profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Nishit, (Serbi); dr. Dushan Dunjiq-i, profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Beogradit, (Serbi); dr. Milosh Tasiq, profesor i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Novi Sadit (Vojvodinë) dhe dy patologëve bjellorusë, dr. Vladimir Kuzmichev dhe dr. Oleg Levkovich.
Vetëm me padi kundër atyre që përgatitën, nxitën, ekzekutuan dhe u përpoqën ta fshehin krimin e gjenocidit në Kosovë mund të hapet rruga drejt ngadhënjimit të drejtësisë dhe mbylljes së njërit nga kapitujt më tragjik të historisë sonë kombëtare.