Bardhyl Mahmuti i shkruan letër publike Mats Malmit, sekretar i Akademisë Suedeze
Sekretari i Akademisë Suedeze, Mats Malm, ka deklaruar se “në shkrimet e Peter Handkes Akademia nuk ka gjetur asgjë që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose mosrespektim të barazisë mes njerëzve” dhe “Nëse zbulohet diçka e re për Handken, ne do ta rivlerësojmë”.
Në letrën publike, e cila, e përkthyer në gjuhën suedeze, i është dërguar edhe në adresën e tij (Mats Malm) të e-mailit, politologu Bardhyl Mahmuti i ka numëruar një sërë argumentesh që dëshmojnë në mënyrë bindëse se në veprat e veta Peter Handke është mishëruar tërësisht me ideologjinë nacionaliste serbe dhe shpreh urrejtje kundër shqiptarëve, myslimanëve dhe kujtdo qoftë tjetër që kundërshton projektet e kësaj ideologjie.
Bardhyl Mahmuti shpreson se deri më 9 dhjetor, datë kur ndahet çmimi Nobel, Akademisë Suedeze do t’i ofrohen dëshmi të mjaftueshme për të rishikuar vendimin e vet ndaj Peter Handke.
Letra e plotë e politologut Bardhyl Mahmuti:
I nderuari z. Malm,
Në shkrimin e publikuar më 17 tetor në gazetën “Dagens Nyheter”, të titulluar “Mats Malm: Nëse zbulohet diçka e re për Handken, ne do ta rivlerësojmë”, thuhet se “në shkrimet e Peter Handkes Akademia nuk ka gjetur asgjë që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose mosrespektim të barazisë mes njerëzve”.
Premtimi juaj, se do të rishikoni vendimin në rast se “zbulohet diçka e re për Handken…”, që do të dëshmonte të kundërtën e asaj që dini ju për laureatin e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2019, më shtyu t’ju drejtohem publikisht nëpërmjet kësaj letre.
Do të përmend vetëm disa argumente të mbështetura në veprën “artistike” të shkrimtarit Peter Handke, që dëshmojnë se, kur bëhet fjalë për projektet ideologjike serbe me të cilat mishërohet tërësisht autori në fjalë, atëherë respekti i barazisë ndërmjet njerëzve nuk është qasje e huaj për shkrimtarin Peter Handke. Në këto projekte ai mishërohet me tërë qenien e vet dhe sulmon në mënyrë të papërmbajtur këdo që merr guximin të rrezikojë realizimin e atyre projekteve.
Në këtë letër publike do të kufizohem vetëm në veprën “Die Kuckuckevon Velika Hoča” (Qyqet e Hoçës së Madhe), sepse më duket e mjaftueshme, për të dëshmuar se në shkrimet e Peter Handkes Akademia Suedeze mund gjejë shumëçka që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose mosrespektimin e barazinë mes njerëzve.(Të gjitha citatet e mëposhtme janë marrë nga përkthimi frëngjisht i kësaj vepre: “Lescoucous de Velika Hoča”, botuar nga “La Différence”, Paris, 2011).
Në fillim të kësaj vepre, Peter Handke tregon se kishte vendosur që, për festën e Pashkës ortodokse të vitit 2008, të vizitonte “Kosovën serbe”.
Përkufizimi i Kosovës si “Kosovë serbe” dëshmon për identifikimin e Peter Handkes me interpretimin ideologjik të historisë. Ky qëndrim i tij është shtrembërim i realitetit historik dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve. Të gjithë ata që kanë njohuri për historinë, e dinë fare mirë se shqiptarët janë banorë autoktonë të kësaj pjesë të Evropës dhe se historia e Kosovës nuk fillon me ardhjen e sllavëve në Ballkan. Në këtë kontekst, do të citoj historianin francez, Alain Ducelier, i cili thotë: “Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe e arkeologjisë, dëshmojnë se ilirët janë, pa asnjë dyshim, paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Çdokush di se sllavët janë populli indoeuropian, që ka ardhur më së voni në Evropë, sepse vala e dyndjeve të tyre shtrihet në shekullin VI dhe VII të erës sonë. Të gjitha argumentet e tipit historik për gjoja “Kosovën serbe” kthehen kundër tezës serbe, sepse historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë pushtues që kanë ardhur shumë vonë”. (Alain Ducellier, “Les Albanaissont-ilsdesenvahisseursauKosovo?” (A e pushtuan shqiptarët Kosovën?).
Përkundër fakteve historike, në veprën e vet “artistike” Peter Handke përvetëson tërësisht gjuhën ideologjike të nacionalizmit serb dhe këmbëngul se “Kosova është tokë serbe,ku edhe drurët e blirit janë drurë sllavë(…). E drejta serbe mbi Kosovën mbështetet në të drejtën mbi atë tokë të mbjellë me drithëra nga serbët, që qëndrojnë tani në atë tokë, bashkë me jetën dhe punën e mëparshme të prindërve, të gjyshërve, të stërgjyshërve, të katragjyshërve dhe të stërgjyshërve të katragjyshërve të tyre… Kjo e drejtë nuk ka nevojë për legjenda e, hiç më pak, për mite(…). E drejta serbe mbi Kosovën buron mbi këtë bazë dhe nuk e di se çfarë loje po luan historia, që ua ka konfiskuar Kosovën serbëve dhe, në këtë mënyrë, është bërë një padrejtësi e madhe(…)”.
Përkufizimi i Kosovës si “Kosovë serbe” në librin e Peter Handkes, është shembull i trajtimit të njëanshëm të fakteve shoqërore dhe mungesë e respektit për barazinë e të gjithë njerëzve në Kosovë. Shpifjet se gjoja “shqiptarët kanë konfiskuar Kosovën” dhe se gjoja kanë “ndryshuar emërtimet e toponimeve”, siç bën Peter Handke, janë sulme të drejtpërdrejta kundër shqiptarëve dhe luftënxitëse,sepse kanë për qëllim të mobilizojnë forcat ekstremiste serbe për të “çliruar Kosovën nga shqiptarët”!
Sado që dikush të përpiqet ta shohë ndaras veprën artistike të Peter Handkes nga angazhimet e tij në mbështetje të një ideologjie, që ka shkaktuar tragjedi të mëdha në Ballkan, mllefi “artistik” i këtij autori nuk meriton çmimin për letërsi, për shkak se kreativiteti i intelektit njerëzor në fushën e letërsisë duhet t’u rezistojë ideologjive shkatërrimtare.
Përveç mllefit antishqiptar të Peter Handkes, për shkak të gjoja “konfiskimit të Kosovës serbe”, për “padrejtësinë që u janë bërë serbëve”, Peter Handke fajëson edhe “praninë e forcave të KFOR-it në Kosovë”. Për këtë laureat të çmimit “Nobel”, pjesëtarët e KFOR-it janë “shpezë të çuditshme, që nuk mund të konsiderohen as si vizitorë, as si mysafirë, të cilët, para bombardimeve të NATO-s, kishin ardhur në Kosovë si ndërmjetësues, si arbitra ose thjesht si vëzhgues ndërkombëtarë…”. Në penën “artistike”plot helm të Peter Handkes, pjesëtarët e kësaj force janë “njerëz pa atdhe, që kishin ardhur në Kosovën serbe për të gjetur në atdheun e tyre të ri së paku një strehë, për arsye se çdonjëri prej tyre kishte probleme ligjore në vendin e vet dhe nuk mund të kthehej atje. Janë si qyqe, që kanë ardhur të bëjnë vezët në foletë e të tjerëve: në Kosovën serbe”!!!
Prezantimi i pjesëtarëve të forcave të sigurisë në Kosovë (KFOR-it) si të ishin kriminelë, që nuk mund të kthehen në vendet e tyre, të cilët kanë ardhur si qyqe për të bërë vezë në Kosovën serbe, është tejet përbuzës dhe shembull i mungesës së respektit dhe i paragjykimeve që mbretërojnë në penën e këtij laureati të çmimit “Nobel”. Përtej përbuzjes dhe mungesës së respektit që tregon ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, kur i trajton si “kriminelë” dhe si “qyqe”, Peter Handke shpreh urrejtje të papërmbajtshme ndaj shqiptarëve. Për laureatin e çmimit “Nobel” në letërsi për vitin 2019, “shqiptarët nuk mund të krahasohen metaforikisht me asnjë kafshë. Të krahasohen shqiptarët me qyqet, është tepër e butë si metaforë”. Shqiptarët janë më të këqij se kafshët në veprën “artistike” të Peter Handkes! Për ta ilustruar se sa përbindësha janë shqiptarët, autori përmend një femër, që kishte ardhur për festën e Pashkës në Hoçë të Madhe dhe ishte prezantuar si “gazetare shqiptare e krishterë, që simpatizonte këtë enklavë. Por një javë më vonë, në gazetën “Der Spiegel” të Hamburgut, ajo kishte publikuar një shkrim jo për mënyrën si kremtohej Pashka në këtë vend, por paraqiste Hoçën e Madhe si strehë kriminelësh, kurse priftin si njeri të sferës politike…”.
Çdokush që ka lexuar veprën “Qyqet e Hoçës së Madhe”, ka vërejtur se me çfarë urrejtjeje fetare përshkruhen dy pjesët e qytetit të Mitrovicës. Në përshkrimin e pjesës veriore të Mitrovicës, Peter Handke sheh vetëm“katedrale të bukura ortodokse, ku përveç serbëve, në këtë pjesë të qytetit jetojnë edhe popuj të tjerë. Ndërkaq, në jug, sipas tij, jetojnë vetëm shqiptarët dhe mbizotërojnë kupolat e xhamive, si tenda të rrethuara me minare si raketa…, ku duhet të jesh i kujdesshëm të mos shqiptosh ndonjë fjalë në gjuhën serbe, të mos dukesh kureshtar dhe të mos prezantohesh si “écrivain”, “writer”, “shkrimtar” ose “poet”, sepse do të ngjallte dyshim te shqiptarët, të cilët tolerojnë vetëm gazetarët…”!
Prezantimi i pjesës jugore të Mitrovicës si vend, ku gjoja jetojnë vetëm shqiptarët dhe fshehja e faktit se në këtë vend jetojnë edhe boshnjakë, romë, ashkali dhe turq, është tendencioz, për të arsyetuar pretendimin e propagandës ideologjike serbe, për gjoja “konfiskimin e Kosovës serbe nga shqiptarët”. Nuk mund të ketë mungesë më të madhe respekti për barazinë e të gjithë njerëzve, sesa mohimi që i bën Peter Handke ekzistencës së boshnjakëve, romëve, ashkalinjve dhe turqve në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës. Shqiptarët, serbët, boshnjakët, malazezët, ashkalinjt, egjiptianët, turqit janë gjithandej ku kanë qenë edhe më parë, dhe përfaqësohen në të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës. Është problem i Peter Handkes, që ka përqafuar pa asnjë rezervë ideologjinë e nacionalizmit serb dhe që pretendon se aty ku nuk ka serbë është tokë e askujt, një “noman’sland”, që e përmend aq shpesh.
Për të ngjallur urrejtjen kundër shqiptarëve, në “Qyqet e Hoçës së Madhe” ai shpif se gjoja “një serb me probleme në veshkë,i cili duhet të bënte dializë dhe të trajtohej çdo javë në spitalin e Prizrenit, është përballur me fyerje nga shqiptarët”. Për të qenë më bindës në rrëfimin e vet, autori sajon“një mjeke me origjinë turke, që ishte treguar shumë e sjellshme me këtë serb, e paskësh trajtuar si pacientët e tjerë dhe e gjithë kjo për arsye se turqit kanë mësuar të sillen si zotërinj, kurse shqiptarët kurrë nuk mund të sillen si zotërinj”!
Në përshkrimin e festës së Pashkës ortodokse në Hoçë të Madhe, kjo vepër e Peter Handkes arrin kulmin e urrejtjes religjioze dhe etnike. Sipas përshkrimit “artistik” të këtij autori, “sapo filluan të binin kambanat e kishës, u dëgjua njëkohësisht zëri kumbues i myezinit të fshatit shqiptar, që ishte afër fshatit Hoçë e Madhe, i cili bënte thirrje për faljen e orës 11, si dhe lehjet e qenve endacakë”!!! Shqiptarët e përkatësisë religjioze islame dhe qentë endacakë ua prishën banorëve të Hoçës së Madhe festimin e Pashkës!
Një gënjeshtër e tillë mund të përhapet vetëm nga mendjet e robëruara prej ideologjisë së ngarkuar me urrejtje etnike dhe religjioze. Edhe pse është i vetëdijshëm, se falja e drekës në asnjë rast nuk bëhet në orën 11, Peter Handke gënjen qëllimisht, për të krijuar përshtypjen se kleri mysliman ndryshon edhe orën e kohës së faljes, vetëm e vetëm për të penguar festën e krishterë! Mungon vetëm akuza e koordinimit me qentë endacakë, për t’u bërë edhe një të padrejtë serbëve në Kosovë!
I nderuari z. Malm,
Mund të vazhdoj me shembuj të shumtë dhe të arrijmë tek i njëjti rezultat: vepra e Peter Handkes ka më shumë nxitje të urrejtjes religjioze dhe ndëretnike sesa art të mirëfilltë. Si e tillë,autori i këtyre veprave nuk e meriton të jetë laureat i çmimit “Nobel” për letërsi, sepse do të përligjte përbuzjet, talljet dhe fyerjet që u bëhen viktimave të ideologjisë së nacionalizmit serb, të “ambalazhuara me stofin artistik” të Peter Handkes.
P.S.
Në vitin 2014 Peter Handke fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Henrik Ibsen”. Shumën prej 50 mijë eurosh ua dërgoi banorëve serbë të Hoçës së Madhe në Kosovë.
Nuk duhet të habitet askush, në rast se Peter Handke ua dhuron forcave ekstremiste serbe vlerën monetare të çmimit “Nobel”, për të “çliruar Kosovën nga konfiskimi shqiptar”.
Me respekt
Bardhyl Mahmuti,
politolog Zvicër