Bardhyl Mahmuti propozon projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë
Politologu Bardhyl Mahmuti u është drejtuar me një letër publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga të cilët kërkon që të miratohet një projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.
“Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Kosovës, të nderuar deputetë. Duke përcjellë me shqetësim mohimin që i bëhet gjenocidit që shteti serb ka zbatuar kundër shqiptarëve të Kosovës, minimizimin e krimit të gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve që përpiluan dhe zbatuan gjenocidin në Kosovë dhe iniciativën që mohimi i gjenocidit të ndëshkohet me ligj në të njëjtën formë siç veprojnë shtetet e demokracive perëndimor; duke mbështetë tërësisht iniciativat paraprake dhe aktuale të ndërmarra në Kuvendin e Kosovës që përmes një rezolute të Kuvendit të emërohen si gjenocid krimet që ka përjetuar populli i Kosovës gjatë luftës; duke e konsideruar rezolutën si të domosdoshme që do t’i jepte forcën miratimit të një ligji të kësaj natyre; duke u mbështetur në mënyrën si i kanë trajtuar institucionet e BE-së dhe disa shtete të Evropës Perëndimore çështjen e krimit të gjenocidit në situata konkrete, ju shtroj një projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë”, është thënë në njoftimin e Bardhyl Mahmutit të publikuar në llogarinë e vet në “Facebook”.
Projektrezolutë e propozuar nga Bardhyl Mahmuti për gjenocidin serb në Kosovë:
Duke pasur parasysh se:
– në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 9 dhjetor 1948, me “gjenocid” nënkuptohet kryerja e cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente:
(a) vrasja e anëtarëve të grupit;
(b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit;
(c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;
(d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe
(e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetri;
kur krimi është bërë me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht, në aspektin fizik ose biologjik një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.
– faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë, në operacionet luftarake të ndërmarra, me qëllim që të shkatërrohen shqiptarët si grup kombëtar, etnik dhe fetar i ndryshëm nga serbët, kanë vrarë 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 gra shqiptare dhe rreth 10 000 civilë të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave;
– Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, në të cilën nuk përcaktohet asnjë numër, asnjë përqindje, në bazë të së cilës shkatërrimi i pjesshëm i grupeve të lartpërmendura do të mund të konsiderohej si gjenocid;
– shmangien e çdo minimizimi të përmasave të gjenocidit që kanë përjetuar popujt e tjerë në periudha të ndryshme historike dhe duke qenë përjetësisht mirënjohës për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, që i dha fund politikës serbe të gjenocidit në Kosovës;
Për këto arsye, Kuvendi i Kosovës konstaton se vrasjet e fëmijëve, e grave, e pleqve dhe e civilëve shqiptarë të moshave të ndryshme gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.
2.
Duke u nisur nga faktet se:
– gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë forcat e armatosura të Serbisë ushtruan dhunë seksuale ndaj rreth 20 mijë femrave shqiptare;
– Neni II paragrafi (b) i Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit cilëson si forma të gjenocidit edhe cenimin e rëndë të integritetit fizik ose mendor;
– viktimat e dhunës seksuale kanë përjetuar vuajtje të mëdha, traumatizëm të rëndë dhe plagë të pashlyera psikologjike;
– Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën i cilësoi dhe i dënoi dhunimet seksuale të Hutuve ndaj Tutcive si akte gjenocidi, për shkak të faktit se dhunimi paraqet cenim të rëndë të integritetit fizik dhe mendor të viktimës;
Kuvendi i Kosovës hedh poshtë si të papranueshme të gjitha pazarllëqet që janë bërë mes Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Qeverisë së Serbisë, për të ndryshuar kualifikimin e dhunimeve seksuale dhe konstaton se dhuna seksuale ndaj femrave shqiptare përbën krim të gjenocidit në kuptimin si përkufizohet gjenocidi me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.
3.
Duke u bazuar në:
– Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombet e Bashkuara, të datës 18 dhjetor 1992, në të cilën theksohet qartë se dëbimi masiv nga shtëpitë e veta të civilëve të pambrojtur dhe zbatimi i politikës së neveritshme të spastrimit etnik është një formë gjenocidi;
– Rezolutën e Konferencës Botërore të të Drejtave të Njeriut të organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë më 14-25 qershor 1993, në të cilën theksohet në mënyrë të qartë se praktika e spastrimit etnik, si rezultat i agresionit serb kundër popullatës myslimane dhe kroate të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, përbën gjenocid dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit;
– faktet se gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, forcat e armatosura të Serbisë dëbuan nga shtëpitë e tyre mbi 1 milion shqiptarë;
Kuvendi i Kosovës konstaton se dëbimi i shqiptarëve dhe spastrimi etnik i Kosovës përbën krim të gjenocidit dhe shkelje të rëndë të Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.
4.
Duke u mbështetur në:
– Deklaratën për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukja me Forcë, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me Rezolutën 47/133 të datës 18 dhjetor 1992;
– të drejtën ndërkombëtare që e klasifikon zhdukjen me forcë të personave si krim kundër njerëzimit;
– fakte të shumta të pakontestueshme, që dëshmojnë se në funksion të fshehjes së krimit dhe të shmangies nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë në kryerjen e gjenocidit, institucionet e Serbisë zhvendosën me forcë në territorin e Serbisë mijëra civilë shqiptarë të të dyja gjinive dhe të të gjitha moshave, të gjallë dhe të vrarë;
– fakte se, përveç një numri të caktuar që u kthyen të gjallë pas përfundimit të luftës, pasi kishin përjetuar trajtime çnjerëzore nëpër burgjet e Serbisë, mijëra kufoma civilësh shqiptarë janë gjetur në varreza masive anembanë Serbisë;
– faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1600 personave, të cilët vazhdojnë të mbeten të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë;
Kuvendi i Kosovës konstaton se zhdukja me forcë e civilëve shqiptarë përbën krim kundër njerëzimit dhe shkelje të rëndë të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e personave nga zhdukja me forcë.
5.
Duke konstatuar se:
– pas përfundimit të luftës në Kosovë nuk është bërë asnjë dënim politik i gjenocidit të dëshmuar të regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë;
– institucionet politike dhe të drejtësisë në Serbi vazhdojnë të mohojnë krimin e gjenocidit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, refuzojnë riparimin e dëmeve të shkaktuara;
Duke konsideruar se pranimi i krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë përbën një akt thellësisht njerëzor, që lehtëson përballimin e dhembjes për të mbijetuarit e gjenocidit dhe nderon kujtimin e viktimave të gjenocidit;
Kuvendi i Kosovës kërkon nga shteti i Serbisë:
– të pranojë faktin se ky shtet ka kryer gjenocid në Kosovë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit në periudhën 1998-1999;
– të ndriçojë plotësisht fatin e të gjithë atyre që ende konsiderohen të zhdukur;
– të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e krimit të gjenocidit në Kosovë;
– të riparojë ato dëme të gjenocidit që ende mund të riparohen.
6.
Duke rikujtuar se:
– më 15 janar 1999 forcat serbe kryen aktin gjenocidar në Reçak, gjatë të cilit u masakruan 42 civilë shqiptarë;
– ky akt gjenocidar mobilizoi komunitetin ndërkombëtar, për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë dhe për këtë qëllim organizoi Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje;
– faktin që regjimi i Sllobodan Millosheviqit refuzoi zgjidhjen paqësore të Çështjes së Kosovës dhe vazhdoi politikën e gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë;
– ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për t’i dhënë fund krimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë;
Kuvendi i Kosovës kërkon që 15 janari të shpallet si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
7.
Duke u nisur nga fakti se informimi i drejtë dhe i gjithanshëm është kusht i domosdoshëm kundër negacionizmit, si tërësi e qëndrimeve dhe e shpjegimeve të dhëna për të mohuar dhe shkatërruar vërtetësinë e gjenocidit:
Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet politike dhe shkencore të Kosovës, që të angazhohen maksimalisht për ndriçimin e tërësishëm të gjenocidit në Kosovë dhe të sigurojë përkrahjen politike për njohjen e faktit që shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit.
8.
Duke pasur parasysh faktin se mohimi i krimit të gjenocidit dhe krimit kundër njerëzimit konsiderohet si fyerje më e rëndë që mund t’u bëhet viktimave të këtij krimi, familjarëve të tyre dhe tërë kombit ndaj të cilit është ushtruar gjenocidi:
Kuvendi i Kosovës do të përgatitë plotësimin e ligjit, për të përfshirë ndëshkimin e të gjithë atyre, të cilët minimizojnë apo e arsyetojnë gjenocidin e kryer kundër shqiptarëve në Kosovë apo kundër cilitdo popull në botë, ndaj të cilit historia dëshmon se është kryer gjenocid.