Bardhyl Mahmuti shpreh keqardhje për reagimin ndaj deklaratës së ish-presidentit Thaçi
Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Më në fund doli në shesh:
Grupi Politik i kryesisë së Degës së LPK-së ka lëshuar komunikatat në emër të UÇK-së
Gjatë tërë periudhës kur kam qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, i cili ishte organ vendimmarrës i Degës së LPK-së Jashtë Vendit, u kam besuar thënieve të anëtarëve të kryesisë se komunikatat e UÇK-së ishin shkruar dhe shpërndarë nga Kosova. Ky qëndrim më ishte përforcuar pas Mbledhjes së Gjashtë të Përgjithshme të LPK-së Dega Jashtë Vendit, që u mbajt më 2 dhe 3 maj 1998, në Zell (rrethinë e Zyrihut në Zvicër), kur u zgjodh Këshilli i ri i Përgjithshëm, i cili në mbledhjen e mbajtur më 6 qershor 1998 në Vurzburg të Gjermanisë, zgjodhi Kryesinë e re: Bedri Islami (kryetar), Jashar Salihu dhe Bardhyl Mahmuti (nënkryetarë), Sejdi Gega (përgjegjës financiar), Agush Buja (sekretar), Ali Ahmeti dhe Ibrahim Kelmendi anëtarë të kryesisë.
Me aq sa jam në dijeni, anëtarët e kryesisë së re të Këshillit të Përgjithshëm, asnjëherë nuk kanë shkruar komunikata apo deklarata politike në emër të UÇK-së, sepse kemi qenë të bindur se një gjë e tillë duhej të bëhej nga njerëzit që ishin në Kosovë, të cilët ishin në dijeni të plotë të aksioneve që kryheshin, dhe të shmangej mundësia që të dilnim joserioz nëse identifikohej burimi i shpërndarjes së njoftimeve të kësaj natyre nga jashtë Kosovës.
Pikërisht për shkak të besimit që kisha krijuar se komunikatat dhe deklaratat nëpërmjet të cilave fillimisht Shtabi Qendror, e më vonë Shtabi i Përgjithshëm, merrnin përsipër aksionet e UÇK-së shkruheshin dhe shpërndaheshin nga Kosova, në muajin shkurt 2019 kam reaguar kundër ish-presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, i cili pati deklaruar se “gjatë luftës dhe pas saj janë shkruar komunikata dhe deklarata edhe nga banhofet jashtë vendit”.
Përkundër asaj se disa herë Ibrahim Kelmendi, unë dhe veprimtarë të tjerë e kemi aktualizuar publikisht çështjen e shkrimit të komunikatës numër 45, të datës 9 mars 1998, dhe të komunikatës numër 46, të datës 16 mars 1998, të lëshuara në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së, në të cilat nuk u shkrua asnjë fjalë e vetme për Epopenë e UÇK-së, rezistencën legjendare të familjes Jashari dhe krimin e gjenocidit në Likoshan, Qirez dhe Prekaz, asnjëherë nuk morëm përgjigje.
Aktualizimi i kohëpaskohshëm i kësaj çështjeje bëri që një numër i bashkëveprimtarëve të shprehnin mendimin e tyre se ndoshta lënia në heshtje e Epopesë së UÇK-së ka mundur të ndodhë për shkak të mungesës së informatave të sakta për atë që ndodhi në Prekaz.
Pretendimin se kjo heshtje ka mundur të ndodhë për shkak të mungesës së informatave, e kam hedhur poshtë për disa arsye:
– Krimi në fshatrat Likoshan dhe Qirez kishte karakteristika të një akti gjenocidal, ndërkaq përmasat e mobilizimit të forcave serbe në Drenicë ishin paralajmërim i qartë i fillimit të zbatimit të projektit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Pa pritur vendimin e kryesisë së Degës së LPK-së, kryesitë e nëndegëve të saj organizuan me dhjetëra tubime dhe protesta në Gjermani, në Zvicër, në Francë, në Britani të Madhe dhe në disa shtete të tjera të Europës Perëndimore.
– Më 2 mars 1998, nëndega e LPK-së për Zvicër organizoi një protestë përpara selisë së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë për të shprehur revoltën tonë dhe njëherësh të alarmonim institucionet ndërkombëtare për rreziqet që u kanoseshin shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Në konsultim me Jashar Salihun, Ramadan Avdiun, Bilall Sherifin dhe Agush Bujën vendosëm që, në të njëjtën kohë që përpara selisë së OKB-së protestonin mbi 10 mijë shqiptarë, të organizonim një konferencë me gazetarët e akredituar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Në marrëveshje me veprimtarët e lartpërmendur, vendosëm që në këtë konferencë të shkonim vetëm unë dhe Jashar Salihu, Hero i Kombit, i cili në atë kohë ishte anëtar i Sektorit të Veçantë dhe përgjegjës i fondit “Vendlindja thërret”;
– Në numrin e 5 marsit 1998 dhe të 12 marsit 1998, e përjavshmja “Zëri i Kosovës”, që ishte organ i LPK-së dhe e vetmja gazetë në gjuhën shqipe që përkrahte tërësisht luftën çlirimtare, i dha një hapësirë të konsiderueshme fillimit të zbatimit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë dhe mobilizimit të shqiptarëve;
– Krimet monstruoze që kryen forcat serbe në Likoshan, Qirez dhe Prekaz, ku u vranë mbi 80 shqiptarë, zunë vend të rëndësishëm në mediet më prestigjioze botërore. Në këtë kontekst, më 9 mars 1998, në mbledhjen e mbajtur në Londër, Grupi i Kontaktit përpiloi Deklaratën për Kosovën. Në pikën 2 të kësaj deklarate, Grupi i Kontaktit gjeti hapësirë për të shprehur brengosjen e thellë për vrasjen e së paku 80 personave dhe dënoi dhunën kundër protestuesve paqësorë, që ndodhi gjatë protestës së 2 marsit në Prishtinë;
– LPK-ja ishte e informuar për përmbajtjen e Deklaratës së Grupit të Kontaktit, ndaj të cilës reagoi. Në deklaratën që pretendohet se është lëshuar në Prishtinë, më 10 mars 1998, nuk u tha asnjë fjalë e vetme për krimet e gjenocidit që kishte kryer Serbia në Drenicë;
Përmendja e argumenteve të kësaj natyre bëhej për arsye se nuk kam qenë në dijeni se brenda kryesisë së moçme të Degës së LPK-së ishte caktuar Grupi Politik të cilit i ishte ngarkuar detyra të shkruanin komunikatat në emër të Shtabit Qendror të UÇK-së. Në mesin e reagimeve që ngjalli akademia për 30-vjetorin e UÇK-së me tendencën për të shtrembëruar realitetin historik, në funksion të përvetësimit të rezultateve të luftës çlirimtare, ishte edhe reagimi i Muhamet Kelmendit, ish-nënkryetarit të organizatës. Në postimin e tij në facebook, të titulluar “Reagim në fjalën e Emrush Xhemajlit në 30 vjetorin e emërtimit të UÇK-së”, ai pohoi se nga viti 1997, me detyrë të shkrimit të komunikatave ishin të ngarkuar anëtarët e Grupit Politik, në përbërje të së cilës ishte ai (Muhamet Kelmendi), Fazli Veliu dhe Emrush Xhemajli dhe ky grup ka shkruar komunikatat, së pak, deri në komunikatën 49 (që është lëshuar në emër të Shtabit të Përgjithshëm).
Një të dhënë shtesë dhe tepër të rëndësishme për të sqaruar të vërtetën rreth asaj nëse anëtarët e Grupit Politik kanë qenë në njohuri të ngjarjeve që u zhvilluan ato ditë në Drenicë, jep anëtari tjetër i Grupit Politik, Emrush Xhemajli, në të ashtuquajturin “dokumentar-Rruga e çlirimit”, të transmetuar në RTK, më 28 nëntor 2024.
Në minutat 23:40-24:30 të “dokumentarit” të lartpërmendur, Emrush Xhemajli pohoi publikisht se “kryesia e LPK-së kishte marrë një letër tepër të rëndësishme nga Adem Jashari, e shkruar me dorë, nga Hamëz Jashari”, nëpërmjet së cilës i kishte njoftuar hollësisht për ngjarjet që janë zhvilluar nga momenti kur forcat serbe kanë sulmuar Abedin Rexhën, për rezistencën e tij e deri te dalja publike më 27 nëntor 1997.
Të jesh i njoftuar hollësisht për ngjarjet që i paraprinë asaj që mori emrin “Epopeja e UÇK-së” dhe të lëshosh dy komunikata në emër të UÇK-së pa përmendur heroizmin e atyre që me sakrificën e përmasave mitike i dhanë shpirt luftës çlirimtare të popullit shqiptar, dëshmon për qasjen mospërfillëse që ka zbatuar Grupi Politik i kryesisë së Degës së LPK-së, Jashtë Vendit.
Fatmirësisht anëtarët e kryesive të nëndegëve të LPK-së dhe anëtarët e redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës” patën qëndrim të drejtë dhe e shpëtuan Lëvizjen Popullore të Kosovës nga turpi që do t’i binte për shkak të veprimeve të këtij “Grupi Politik”.
Nuk e di nga cili vend, ky Grup Politik i ka lëshuar komunikatat në emër të Shtabit Qendror (komunikatat nga numri 11 deri në komunikatën me numër 46) dhe në emër të Shtabit të Përgjithshëm (komunikatat me numër 47, 48 dhe 49), por, pasi dolën sheshit disa fakte që nuk i kam ditur, më vjen keq për reagimin tim ndaj deklaratës së ish-presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi se “gjatë luftës dhe pas saj janë shkruar komunikata dhe deklarata edhe nga banhofet jashtë vendit”. Sot asgjë nuk përjashtoj!
Të gjitha të dhënat e reja që kanë dalë në shesh “për 30-vjetorin e UÇK-së” do të përfshihen në ribotimin e librit “Ushtria Çlirimtare e Kosovës-Në shënjestër të vazhdueshme”.