“Bartësi i shpirtrave të përzënë” i Ollurit botohet edhe në Shqipëri
Së shpejti në librarinë “Onufri”, rruga “Myslim Shyri” në Tiranë, por edhe në të gjitha libraritë shqiptare në Shqipëri, Kosovë, qytete shqiptare në Maqedoni, lexuesi i letërsisë shqipe do të mund ta gjejë edhe romanin “Bartësi i shpirtrave të përzënë”.
Ky roman është ribotuar nga shtëpia e mirënjohur botuese “Onufri”. Sipas autorit të këtij romani, Adil Olluri, ky botues “është një markë e çmueshme dhe tejet e vlershme e botimeve shqiptare, një brend i patejkalueshëm i editorësisë së librit shqip. Ka vite e vite që është bartësja më e qenësishme e botimit të letërsisë shqipe. Andaj, për mua si shkrimtar relativisht i ri, ende në vitet e para të veprimtarisë dhe krijimtarisë sime letrare, është nderim dhe privilegjim botimi nga ana e kësaj familjeje të dinjitetshme editoriale. Bashkëpunimi në procesin e botimit me Enxhi Hudhrin, drejtuesen e re të këtij enti botues dhe të bijen e themeluesit të ‘Onufrit’, zotit Bujar Hudhri, ka qenë për t’u përshendetur. Ajo në mënyrën më të mirë e më të kulturuar po e përvetëson nga i ati punën dhe profesionalizmin”.
Ky është botimi i tretë, pas dy të parëve në Prishtinë, gjatë viteve 2015 dhe 2018.
Më poshtë disa nga vlerësimet për librin e Adil Ollurit:
Një roman që na kthen në të kaluarën tonë të afërt, në luftën e Kosovës dhe eksodin biblik të shqiptarëve për të shpëtuar nga më e keqja. Një rrëfim në veten e dytë që na flet e na bën vëzhgyes e përkujtues gjatë leximit. Një rrëfim në të cilën i shohim ecejaket e njeriut tonë, zgripcin e tij ekzistencial, frikën e tij të zakonshme në një kohë të pazakonshme, vullnetin e tij të paepur për ta shpëtuar veten dhe më të dashurit e tij nga ploja e përgjakshme. E pikërisht ploja e përgjithshme është në sfond të romanit, ndërsa peripecitë e individit, qytetarit të rëndomtë, njerit prej nesh, janë në qendër të tij.
“Bartësi i shpirtrave të përzënë” është një vepër që na vjen me një dimension human të portretizimit të luftës. Ai na flet për luftën pa heroizëm, pa patetikë, por me një çiltërsi dhe natyrshmëri të rrëfimit.
Ky roman nuk është sprovë pikënisjeje, por është një arritje e madhe, një fakt letrar-kulturor jo vetëm në jetën e autorit, por edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe.
Rrëfimi në vetë ne dytë mundëson rindërtimin e përditshmërisë me secilën hollësi domethënëse të saj nëpërmjet kritikës, autoironisë, gjykimit të vetvetes si qenie shoqërore e etnike në formën më të imët ku përzihet pafuqia, pafajësia, interesi i rëndomtë prej njeriu familjar me detyra konkrete më së pari ndaj vajzës, bashkëshortes, babait. Po ashtu, në plojën e madhe të Kosovës nuk u thirrën në altarin e sprovës e të sakrifikimit vetëm jetët njerëzore, trupat e gjallë si të tillë, por vetëdija, ndërgjegjja, personaliteti i njerëzve që do të mbeteshin gjallë, e, ndërgjegjja e përftuar gjatë e pas eksodit, vetëdija, morali, kujtesa dhe rrëfimi i asaj të shkuare të afërt, mund të bëhej me realizëm artistik e qartësi intelektuale vetëm nëpërmjet vetë së dytë, kur e nxjerr nga vetja vetveten e fshehur, e ndriçon me të metat dhe përmasat e saj duke i thënë vetes: po, ti i ke bërë këto, ke pasur frikë, je fshehur në dhomën tënde, ke pasur frikë dhe ta lëshosh ujin për ta larë tualetin tënd ku porsa urinove, ke pasur frikë ta ndizje dritën elektrike, etj, etj.
Romani i Adil Ollurit është një dritare e madhe e hapur për të parë qartësisht veten dhe historinë tonë.
Virion Graçi, shkrimtar
Falë vetes së dytë (tepër të vështirë), Adil Olluri ka mënjanuar tendencën bajate të ekzgjerimit dhe patetikës heroike, duke i lënë vend projektimit të llahtarës, disiplinimit të saj të pamundshëm në një udhëtim eksod me trenin e vdekjes. E vetmja heroikë është të presësh vdekjen në mënyrë dinjitoze, njerëzore, në një orë të ligë kur nënvetëdija të kthen së prapthi, si astar xhakete. Atëherë nuk kuptohet më, a je në realitet apo në kllapinë alegorike të vdekjes. Kufiri është i padallueshëm: makthi uniform i kufirit midis. Njeriu ka vdekur dhe është ringjallur nga hiri i frikës. Dhe kjo përvojë përcillet në roman pa efekte që do ta dëmtonte organicitetin natyral të veprës.
Agron Tufa, shkrimtar