Lulzim Basha: Beteja do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mbajti një fjalim në selinë blu, ndërkohë që një grupim protestuesish vazhdonin të qëndronin para parlamentit.
Deri më tani protesta është zhvilluar pa incidente, duke u zhvendur si zakonisht nga Kryeministria te Kuvendi.
Tubimi nisi në një kohë kur nga Presidenca erdhi lajmi se Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor.
“Shumica jeni ju, shumica ne. Nuk do të hedhim asnjë hap pas deri në arritjen e standardeve evropiane”, u shpreh Basha në fjalën e tij.
Sipas tij, sot qeveria tentoi ta kthente këtë natë në natë dhune, duke iu referuar hedhjes së gazit lotsjellës te parlamenti, për të devijuar vëmendjen.
“Përpjekje për ta shndërruar në një natë dhune për të devijuar vëmendjen. Por kjo përpjekje sot dështoi me turp. Siç dështoi përpjekja për zgjedhje pas vendimit të presidentit për anulimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë më në këmbë se kurrë për ta çuar këtë betejë drejt fitores për çdo shqiptar”, ka thënë kreu i PD-së.
Nga selia e PD-së, ku edhe u mbyll protesta e sotme, Basha ka thënë se zëri i protestuesve kumboi në kryeqytetet më të rëndësishme të botës.
“Pjesëmarrja, bashkimi, qëndresa vendosmëria është forca jonë dhe forca juaj është e pandalshme. Është zëri juaj që kumboi nga Berlini, në Bruksel nga Londra në Uashington. Popullit shqiptar askush nuk mund t’i vë dot më çizme despotike orientale, kriminale mbi qafë dhe aq më pak kreu i bandës në pushtet, Edi Rama”, ka thënë Basha.
“Forca jonë, forca juaj sa vjen dhe shtohet siç shtohen radhët e protestave tona. Kulari sot është në qafën e Tiranës, nuk do të jetë më në qafën e shqiptarëve. Do ta tërheqim derisa ta rrëzojmë Tiraninë. E sotmja është një mbrëmje e rëndësishme për betejën tonë. E sotmja është një natë e rëndësishme në betejën tonë që do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës dhe një qeverie tranzitore”, ka deklaruar kryetari i PD-së.